Baraliu: Ngërçi mund të vazhdojë edhe pas afatit 30 ditësh, këta njerëz janë për psikanalizë

Njohësi i çështjeve kushtetuese, profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit është i qartë dhe i detyrueshëm.

Në intervistë për Ekonomia Online, Baraliu mendon se ky vendim nuk do ta zgjidhë ngërçin, nëse

nuk do të ketë një arsye të shëndoshë të deputetëve.

“Është e rëndësishme për të gjithë të shohin se çka do të ndodhë brenda 30 ditëshit, ngase aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është mjaft shpjegues dhe i qartë për ata që dëshirojnë ta kuptojnë, mirëpo nuk ka shpjegime të qarta dhe të prera për disa çështje.

Aty imponohet që partitë politike, deputetët, partia fituese dhe partitë tjera bashkërisht duhet ta konstituojnë Kuvendin.

Kjo nënkupton që është aludimi i vendimit për një marrëveshje të domosdoshme politike për mirëkuptim dhe për konstituim të Kuvendit. A e kemi ne këtë gatishmëri dhe a kemi këtë atmosferë? Jo, për shumë arsye, sepse të dyja palët nuk e kanë fuqinë votuese që ta votojnë as kryetarin e Kuvendit, as Qeverinë.

Prandaj jemi në një ngërç. Ky vendim nuk do ta zgjidhë ngërçin. Nëse nuk do të ketë vetëdijesim dhe një arsye të shëndoshë, reflektim të të gjithë deputetëve, të cilët u takon vendimi dhe që e kanë obligim kushtetues votimin dhe konstituimin e Kuvendit. Ne mund të kemi sagën e vazhduar edhe pas 30 ditëve dhe kjo është për të ardhur keq dhe për t’u trishtuar”, tha Baraliu.

Ai është i mendimit se është e domosdoshme reflektimi politik dhe ndërgjegjësimi kushtetues i

deputetëve, që të shmanget vazhdimi i krizës edhe pas afatit 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Varet nga partitë politike. Ky vendim tregon qartë që nuk mund të sillesh kështu në mënyrë kundërkushtetuese. Jo vetëm që bëjnë shkelje, por kjo mund të vlerësohet edhe si veprim anti-rendit kushtetues, por edhe etikës dhe moralit të këtij vendi. Ky vendim i ka dhënë kornizat, premisat e duhura se si duhet shkuar. Meqë është obligim për t’u zbatuar duhet të ketë reflektim nga të gjithë, nga subjektet politike. Të ndryshojnë qëndrim, të heqin dorë nga egoja politike, inatet dhe të votojnë edhe kryetarin, edhe nënkryetarët.

Të votohet Kuvendi, pastaj hapet dera për formimin e Qeverisë. Atëherë, nëse nuk mund ta bëjnë, shkohet në zgjedhje të reja. Jemi në një paralizë politike, ku nuk mund të shkojmë më tutje. Asgjë edhe pas 30 ditësh, sepse nuk ka mekanizma rregullativë. Mendja njerëzore nuk ka shkuar deri këtu ku kanë shkuar këta”, shtoi ai.

Baraliu kërkon që të tejkalohet egoja politike dhe të veprohet me përgjegjësi për të shmangur zgjedhjet e reja dhe paralizën shtetërore.

“Nuk e ka marrë me mend as përpiluesi i Kushtetutës se deri kaq larg, për teke politike, për paaftësi të tyre që të krijojnë fuqi politike dhe numra, dhe për shkak të mungesës së kulturës politike dhe përgjegjësisë ndaj shtetit, të shkojnë deri këtu. Këta njerëz janë për analizë psiko-analitike,” tha për EO, Baraliu.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika