Beteja serbe e Vidovdanit – Midis së kaluarës dhe së ardhmes

Beogradi është në vlim. Në një Serbi ku asgjë nuk është më normale, që kur diktatori Aleksandar Vuçiq ka shpallur një luftë të hapur verbale kundër studentëve, komunitetit akademik dhe qytetarëve.

Në një atmosferë të nxehtë dhe një shoqëri të ndarë, pas një tjetër vjedhjeje zgjedhore në qytetin e Zajeçarit dhe komunën e Kosjeriçit nga ana e pushtetit, studentët e stigmatizuar në bllokadë kanë paralajmëruar një protestë të madhe për datën 28 qershor, në ditën e shenjtë ortodokse të Vidovdanit. Ndërkohë, regjimi i diktatorit serb po bën gjithçka për të neutralizuar energjinë e ndryshimit që kanë gjeneruar akademikët dhe qytetarët e Serbisë.

Aca Serbi, huligani më i madh serb, kishte menduar se me 15 mars – kur u përdorën armë sonike – kishte arritur të ndalte lëvizjen e pandalshme të studentëve dhe të thyente shpirtin e tyre prej çeliku. Madje, më 9 maj, në paradën ushtarake ku ndodhej krahas vëllait të tij, Vladimir Putin, ai deklaroi se kishte mposhtur “revolucionin e ngjyrosur” të studentëve dhe qytetarëve të vet, të cilët pushteti i tij i stigmatizon vazhdimisht duke i quajtur mercenarë të huaj dhe nazi-fashistë.

Për shtatë muaj me radhë, dhuna e falangave të tij në rrugë ka qenë e pandalshme: studentët rrihen, nofullat thyhen, protestuesit frikësohen, dhe arrestimet janë bërë përditshmëri. Por, as kjo nuk ka mjaftuar për ta shuar kryengritjen studentore – luftën e tyre për të çliruar Serbinë nga e keqja dhe për të hequr turpin serb të Srebrenicës, Batajnicës me eshtrat e shqiptarëve të Kosovës, dhe Danubit me frigoriferët e mbushur me trupa shqiptarësh të sjellë nga Kosova gjatë luftës së përgjakshme të Millosheviqit.

Kjo qeveri e “naprednjakëve”, sado të luajë rolin e të pathyeshmit dhe trimëror, kurrë më parë nuk ka qenë kaq e kapur në qoshe, mbi këmbë prej qelqi dhe pranë rrëzimit.

Sepse studentët dhe lëvizja e tyre çlirimtare po e shtrëngojnë çdo ditë më shumë rrethin përreth autokratit të trembur dhe diktatorit gjithnjë e më të shqetësuar, të cilit po i afrohet fundi.

Studentët në bllokadë, më 14 qershor, shpallën: “Ka rrëmujë në qytet – dhe do të ketë edhe më shumë!”, duke ftuar qytetarët në një miting të madh në Beograd. Sa i përket pjesëmarrjes, pritet që protesta e Vidovdanit të jetë edhe më e madhe se ajo e 15 marsit.

Studentët kanë njoftuar: “Shpresojmë që atëherë të arrijmë të bëjmë më shumë dhe më konkretisht.”

Në anën tjetër, lëvizja populiste e Vuçiqit “Për Popullin dhe Shtetin” gjithashtu ka paralajmëruar mbajtjen e një tubimi më 28 qershor – në ditën e një beteje të humbur kundër ushtrisë osmane, që serbët vazhdojnë ta festojnë, ndonëse, në thelb, duhet të ishte ditë zie dhe jo festë.

Me këtë rast, nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë nga radhët e SNS, Marija Raguš, konfirmoi se tubimi do të mbahet dhe u bëri thirrje qytetarëve “të mos shqetësohen”, pasi tubimet do të jenë të ndara. Megjithatë, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, më vonë deklaroi se kundërmitingu nuk do të zhvillohet.

“Nuk do të ketë kundërmiting,” tha ajo, “por nga ana tjetër, si përfaqësuese e pushtetit ligjvënës, dua të theksoj se nuk do të lejohen as sulmet ndaj të tjerëve – studentëve, të rinjve që thjesht duan të mësojnë dhe të arsimohen.”

Ajo paralajmëroi se së shpejti, me këtë rast, kombit serb do t’i drejtohet Aleksandar Vuçiq dhe do t’u përgjigjet të gjitha “gënjeshtrave brutale”.

Duke folur për këto “sulme”, Bërnabiq i referohej pretendimeve të lëvizjes pro-regjimit “Studentët që duan të mësojnë”, të njohur popullarisht si “Ćaci”, të cilët pohojnë se studentët në bllokadë po planifikojnë sulme ndaj tyre gjatë protestës dhe synojnë të marrin nën kontroll “Ćaciland-in” – kampin e papastër me çadra, të vendosur në mënyrë të paligjshme në Parkun e Pionirëve, përballë Presidencës së Aleksandar Vuçiqit.

Kjo lëvizje, e përbërë nga elementë të dyshimtë dhe të mbrojtur nga pushteti, deklaroi se kishin marrë një “dokument nga bllokuesit” ku thuhet se po përgatitet një sulm ndaj kampit të tyre: “Duket se duan të na vrasin, nëse nuk largohemi prej këtu. Siç e dini, na kanë përzënë tashmë nga fakulteti. Nuk kemi ku të shkojmë. Na përdhosni shtëpitë tona, na ngjitni etiketa me duar të përgjakura… na linçoni. Javën e kaluar na sulmuat me kanaçe.”

“E gjithë kjo, vetëm sepse kemi qëndrime ndryshe nga tuajat. Vetëm për këtë arsye dëshironi të na lëndoni”, deklaruan studentët pro-Vuçiqit në një konferencë për media para çadrave, duke shtuar se nuk kanë frikë dhe se do të qëndrojnë aty ku janë.

Plenumi Akademik reagon ndaj paralajmërimeve për kundërmiting: “Përpjekje për të shkaktuar konflikt të madh civil”

Plenumi Akademik, duke reaguar ndaj paralajmërimeve të pushtetit për organizimin e një kundërmitingu, e ka cilësuar këtë si një përpjekje për të shkaktuar përplasje të mëdha dhe konflikte të rrezikshme.

Ata rikujtojnë se kjo nuk do të ishte hera e parë që ndodh diçka e tillë, pasi “një kundërmiting i ngjashëm ishte organizuar nga Slobodan Millosheviqi më 1996, kur vendi ishte në prag të një lufte civile”. Në vend që të shpallte zgjedhje të ndershme dhe demokratike për të zgjidhur krizën e thellë shoqërore, ai atëherë – e sot Vuçiq – tregojnë gatishmëri për të nxitur dhunë në rrugë.

“U bëjmë thirrje Aleksandar Vuçiqit të heqë dorë nga ideja për të organizuar kundërmiting dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të kundërt, Plenumi Akademik do ta konsiderojë atë si të vetmin përgjegjës për çdo akt dhune që mund të ndodhë në Beograd, në ditën e Vidovdanit. Profesorët dhe bashkëpunëtorët universitarë atë ditë do të jenë aty ku e kanë vendin – pranë studentëve të tyre”, thuhet në deklaratën e bërë publike në media.

Ndërkohë, avokati Olenik e ka cilësuar njoftimin për kundërmitingun si një përpjekje për të frikësuar qytetarët me qëllim uljen e pjesëmarrjes në protestën studentore.

“Angazhimi i policisë, BIA-s, kriminelëve të paguar dhe armëve zanore – këtë e kemi parë tashmë. Nuk do të funksionojë,” ka shkruar Olenik në rrjetin social X.

Ja pra si po përpiqet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbrojë pushtetin e tij – me forcë kundër qytetarëve. Sepse ai e ndien se afati i tij politik po skadon. Kjo shihet qartë në deklaratat nervoze të “shefit të madh”.

Përkundrazi, jam i bindur se forca kolektive e qytetarëve është më e aftë për të sjellë ndryshim shoqëror dhe mirëqenie sesa pushteti i Vuçiqit, i cili po e shtyn vendin drejt kaosit dhe një lufte civile.

Kot janë përpjekjet e tij diktatoriale për t’u shfaqur si “faktori vendimtar” që i relativizon të gjitha – sepse protestat studentore janë bërë tashmë pjesë e një kryengritjeje të përgjithshme dhe të një pakënaqësie të gjerë shoqërore.

Diktatori, thjesht, duhet të bjerë. Sepse kjo revolucion është i ngjyrosur me gjakun e të pafajshmëve.

Dhe duart e tij janë me gjak.