Biden dhe i dërguari i Vatikanit takohen për të diskutuar luftën në Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me të dërguarin e Papa Françeskut në kuadër të nismave paqësore dhe humanitare të Selisë së Shenjtë për Ukrainën.

Në krye të agjendës së takimit të tyre të martën është situata e fëmijëve ukrainas që u dërguan në Rusi, njoftuan Shtëpia e Bardhë dhe Vatikani.

Kardinali Matteo Zuppi do të qëndrojë në Uashington deri të mërkurën. Para kësaj, ai ishte në një mision në Moskë, pastaj në Kiev, ku u takua edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, konfirmoi se Biden do të takohet me Zuppin të martën për të “diskutuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta brutale e Rusisë në Ukrainë”.

Jean-Pierre tha gjithashtu se “përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe Selisë së Shenjtë për të ofruar ndihmë humanitare për të prekurit, si dhe fokusi i Selisë së Shenjtë në riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të marrë me forcë nga zyrtarët rusë”, do të diskutohen.

Zuppi është një veteran i nismave paqësore të Kishës Katolike dhe u ngarkua nga Papa Françesku për të gjetur “shtigje të paqes” midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në Moskë, Zuppi u takua me Maria Lvova-Belova, komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, si dhe patriarkun Kirill, kreun e Kishës Ortodokse Ruse që mbështet fuqishëm luftën.

Françesku pranoi kërkesën e Ukrainës për të ndërhyrë kudo që të jetë e mundur, në mënyrë që fëmijët ukrainas që u dërguan në Rusi pas pushtimit të Moskës të kthehen në Ukrainë.

Në fund të marsit, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarrestim për Lvova-Belovan dhe presidentin rus Vladimir Putin, duke i akuzuar ata për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.

Françesku tha se shpreson se Selia e Shenjtë mund të lehtësojë bashkimin e familjeve, në të njëjtën mënyrë që Vatikani ka lehtësuar shkëmbimin e të burgosurve.

Papa ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për t’i dhënë fund luftës, por nuk ka kritikuar hapur Moskën, pjesë e traditës së Vatikanit për të ruajtur neutralitetin diplomatik në konflikte me shpresën se mund të luajë një rol në arritjen e paqes.

Papa tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, por kritikoi ashpër industrinë ushtarake, duke thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga Perëndimi është i pamoralshëm “nëse bëhet me qëllimin për të provokuar më shumë luftë ose për të shitur armë”.

Françesku u takua me Bidenin, i cili është katolik, në Vatikan në vitin 2021 dhe më parë në vitin 2015 gjatë vizitës papale në SHBA.

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika