Azem Bujupi nga platforma “Trip to Albania”, në emisionin “Debat Plus”, ka dhënë një vështrim më të thelluar mbi rritjen e turizmit në Shqipëri dhe sfidat që e shoqërojnë atë. Sipas tij, ndonëse shifrat zyrtare tregojnë rritje të madhe të hyrjeve turistike, realiteti në terren është më kompleks dhe kërkon vëmendje të veçantë.
“Rritja e shifrave zyrtare të turistëve në drejtim të Republikës së Shqipërisë varion. Dikur ne e kemi quajtur këtë ‘turizëm patriotik’. Njoh shumë njerëz që shkojnë për drekë në Shëngjin dhe kthehen po atë ditë. Edhe këta përfshihen në statistikat zyrtare,” tha Bujupi.
Megjithatë, sipas tij, ajo që vlen të theksohet është se Shqipëria nuk është më ajo e një viti më parë.
Bujupi ngriti edhe shqetësime konkrete që vijnë nga kontaktet dhe raportimet në terren, sidomos sa i përket ndriçimit në disa zona ku janë të vendosur operatorë hotelierë. “Ka shqetësime për ndriçimin publik në disa pjesë më të thella, jo në vijën e parë apo të dytën të bregdetit, por më brenda” u shpreh ai.
Një tjetër çështje që ai ngriti ishte natyra e investimeve në Shqipëri dhe perceptimi se ato po bëhen kryesisht për të huajt.
“Ka një frikë që mua personalisht, por edhe shumë të tjerë në Kosovë dhe Shqipëri, na shqetëson: A po bëhet Shqipëria vetëm për të huaj? A po investojmë në Shqipëri për ta bërë një vend të shtrenjtë, të bukur, por të vështirë për shqiptarët për të jetuar brenda saj?”