Callum Turner është shndërruar në favorit të ri të basteve për të interpretuar agjentin e famshëm 007, duke u përfolur gjerësisht si pasuesi potencial i Daniel Craig në rolin e James Bondit.
Kërkimi për Bondin e ardhshëm vazhdon, ndërsa emri i Turner ka dalë në krye të listës. Ai njihet për rolet e tij në adaptimin e vitit 2020 të romanit “Emma”, në serinë “Fantastic Beasts”, në filmin e George Clooney “The Boys in the Boat”, si dhe në miniserialin e suksesshëm “Masters of the Air”.
Sipas agjencisë britanike të basteve Coral, të cituar nga The Telegraph, Turner aktualisht shihet si “favoriti kryesor” me kuotë 7-4 për të qenë Bondi i ri, duke lënë prapa emrat e përfolur më herët si Aaron Taylor-Johnson (3-1) dhe Henry Cavill (6-1).
Rritja e shpejtë e kuotave për Turner mund të lidhet me informacione të brendshme ose thjesht me faktin se ai është aktori më i fundit që po merret në konsideratë nga producentët për këtë rol ikonik. Një tjetër arsye mund të jetë edhe pushimi i tij i fundit në Goldeneye të Xhamajkës – rezidenca e dikurshme e Ian Fleming – ku u pa së bashku me të fejuarën, këngëtaren Dua Lipa.
Ndërkohë, procesi zyrtar i përzgjedhjes së aktorëve pritet të nisë pasi regjisori i Bond 26, Denis Villeneuve, të përfundojë punën për “Dune: Part Three”. Deri atëherë, spekulimet rreth emrit të Bondit të ri pritet të vazhdojnë.
Është konfirmuar se Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders”, po shkruan skenarin e filmit, ndërsa që nga shtatori raportohet se Amazon po kërkon “një fytyrë të re” për ta zëvendësuar Daniel Craig, i cili u tërhoq nga roli pas filmit “No Time To Die” (2021).
Prodhimi i filmit të ri të James Bond pritet të nisë në vitin 2027, ndërsa premiera është planifikuar për vitin 2028 – filmi i parë i ekskluzivitetit që do të realizohet nën drejtimin e plotë të Amazon.