Me të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, opinion publik rriti shpresën për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Por, mbase këto shpresa përsëri u zvogëluan pas reagimit të partisë më të madhe në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk u pajtua me vendimin, duke e quajtur atë kundërkushtetues, si dhe akuzuar gjykatën për anëshmëri.
E kjo e bën skeptik edhe analistin politik Blerim Canaj, që thotë se mbase LVV-ja, do të gjejë forma për të mos konstituim të Kuvendit të Kosovës, raporton Dukagjini.
“Ne i kemi parë arsyetimet që pozita e kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë dhe këtë askush nuk po ia mohon, njëkohësisht në nuk mund të presim që me diktat të iu imponohet deputetëve të votohet, personi që votohet dhe për këtë arsyeje kërkohet gjithmonë në politikë kompromis për shkak që nëse nuk përdoret kompromisi dhe marrëveshjet atëherë nuk është politik”, ka thënë Blerim Canaj, Analist politik për Dukagjinin.
Canaj thotë që është i shqetësuar edhe me veprimet e fundit në veri, siç ishte një ditë më parë edhe një protestë e serbëve lokal, pasi thotë që mund të shfrytëzohet ndonjë tension që të zhvendoset vëmendja.
“Ne pamë edhe një situatë që filloi të tendosët edhe në Mitrovicën e Veriut, dhe jemi mësuar se sa herë që ka ndonjë plan, do të thotë, po e quaj destruktiv, atëherë automatikisht na ndodh edhe diçka në veri”, ka thënë Blerim Canaj, Analist politik për Dukagjinin.
Analisti tjetër politik Afrim Kasolli vlerëson se Vetëvendosje vështirë se do të bëjë veprime drejt konstituimit të Kuvendit, përveç nëse rritet presioni ndërkombëtar.
“Ata këtë aktgjykim e kanë konsideruar si vjedhje të demokracisë së qytetarëve të Kosovës, dhe intervenim në punën e Kuvendit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, sipas këndvështrimit të tyre i bie që mos respektimi i këtij vendimi është në koherencë me mbrojtjen e parimeve demokratike”, ka thënë Afrim Kasolli, analist politik për Dukagjinin.
Krahas akuzave që aktgjykimi pasqyron motive partiake, në reagimin e saj Vetëvendosje shkroi se Gjykata nuk ka të drejtë të krijojë norma të reja kushtetuese.