Cilat janë monumentet arkitekturore të restauruara gjatë vitit 2023 nga Ministria e Kulturës?

MKRS gjatë vitit 2023 ka restauruar disa monumente arkitekturore si kulla, shtëpi-muze, xhamia, dhe kisha ortodokse e katolike për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe ndihmuar në rivitalizimin e tyre

Fotografi ilustruese

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë vitit 2023 ka restauruar disa monumente arkitekturor si kulla, shtëpi-muze apo edhe objekte fetare qoftë xhamia apo edhe kisha ortodokse e katolike. Kështu duke bërë ruajtjen dhe kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe duke ndihmuar në rivitalizimin e monumenteve të rëndësishme që dëshmojnë për historinë dhe identitetin e Kosovës.

Imazhet e mëposhtme tregojnë një transformim të mahnitshëm të disa objekteve, ku ndër to janë edhe: Kulla e Ministerit në Pejë, shtëpia-muze e familjes Sokoli në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, e të tjera.

Kullat si objekte banimi janë godina tradicionale familjare në bazë të të cilave më tutje janë projektuar dhe ndërtuar edhe ndërtesat sekulare dhe sahat-kullat.

Kullat si objekte ndihmëse, së pari vrojtimi e sinjalizimi, e më vonë edhe si objekte tubimi të banorëve të rrethinës e deri tek objektet fetare të ditëve tona, në Kosovë nuk janë të rralla. Thuhet që kullat si objekte fetare, d.m.th. me kulme sipas simboleve fetare, janë ndër më të vjetrat në Ballkan.

Disa prej Kullave që mbartin histori shekullore dhe të restauruara gjatë vitit 2023 nga Ministria e Kulturës janë: Kompleksi Memorial i Isë Boletinit në Mitrovicë, Kulla e Ministerit në qytetin e Pejës, Kulla e Hasan Tafollit, Kulla e Sahit Avdulit dhe Kulla e Zeqë Ramë Sadrisë në Gjakovë si dhe Kulla e Sheremetit në Pejë.

Ndërsa shtëpitë që po ashtu kanë përfunduar restaurimin gjatë vitit 2023 janë si: Shtëpia e familjes Sokoli, Lokvica në Prizren, 14 shtëpitë e famshme tradicionale në Janjevë, Shtëpia e Drane Bojaxhiut, e Ryshyt Këpuskës, e piktorit të njohur Hamdi Bardhi, Familjes Kabashi dhe Sokoli në Prizren.

Po ashtu edhe monumente të tjera kulturore si Xhamia e Osman Efendisë dhe Tyrbja e Mehmetit të vjetër, Xhamia në Drenoc etj.

Xhamia e Osman Efendisë dhe Tyrbja e Mehmetit të vjetër

Xhamia e Osman Efendisë dhe Tyrbja e Mehmetit të vjetër në Artanë, u restauruan dhe u kthyen në shërbim të komunitetit me 21 dhjetor të vitit 2023.

Tyrbja e Mehmetit të vjetër/ Foto Ministria e Kulturës

“Edhe një punë e përfunduar me përkushtim e profesionalizëm. Mbrojmë të kaluarën, sigurojmë të ardhmen”, kështu pat shkruar Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku me 8 nëntor lidhur me restaurimin e shtëpisë së Familjes Dorambari.

Foto: Ministria e Kulturës

Restaurimi i shtëpisë së familjes Sokoli

Shtëpia e familjes Sokoli që ndodhet në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, e që bën pjesë në trashëgiminë kulturore, i është ri-konstruktuar çatia, fasada dhe i është bërë trajtimi i strukturës së dyshemesë së meskateve.

Restaurimi i shtëpisë së familjes Sokoli, Foto: Ministria e Kulturës

Kulla e Ministerit në Pejë

Kulla e cila gjendet në Pejë, është ndërtuar në vitin 1933. Shtyllat e betonit të dala nga muret në fasadën jugore, që shërbejnë për mbajtjen e ballkonit e bëjnë këtë kullë të pazakontë për këto treva.

Po ashtu, kjo kullë dikur i takonte Bejlerëve, përkatësisht Shasivar Begut, ndërsa më vonë, gjatë mbretërisë serbe-kroate-sllovene, kulla kaloi në pronësi të Aleksandër Markoviq i cili në atë periudhë ishte ministër dhe nga këtu udhëhoqi administratën shtetërore.

Restaurimi në Kullën e Ministerit në Pejë Foto: Ministria e Kulturës

Kulla e Ministerit fillimisht i takonte Bejlerëve, përkatësisht Shasivar Beut ndërsa më vonë si pasojë e presionit sistematik gjatë mbretërisë serbe-kroate-sllovene, kulla kaloi në pronësi të Aleksandër Markoviqit, i cili në atë periudhë ishte ministër dhe nga ky objekt udhëhoqi administratën shtetërore. Pavarësisht kohës, kulla ka ruajtur autenticitetin e saj.

Xhamia e Drenocit në Deçan

Me katër tetor, Ministri i Kulturës ka shkruar në rrjetin social “Facebook”se ka përfunduar restaurimi i Xhamisë në fshatin Drenoc të Deçanit.

Foto: Ministria e Kulturës

Kompleksi Memorial i Isë Boletinit

Me 26 shtator, Ministri i Kulturës ka njoftuar gjithashtu se Kompleksi Memorial i Isë Boletinit në Mitrovicë dhe Shtëpia e Katarina Josipit në fshatin Zym të Prizrenit i kanë hapur dyert për komunitetin.

Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit është një monument i trashëgimisë kulturore në Boletin, Zveçan, Kosovë.

Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër 02 – 317/80.

Ndryshe, dy kullat e Isa Boletinit ndodhen në fshatin Boletin. Kulla e parë (kulla e burrave) është ndërtuar në vitin 1887 nga babai i Isa Boletinit, Adem Boletini. Ajo u shkatërrua në vitin 1899 nga pushtuesit osmanë, sepse Isa kishte ndërtuar shkollën e parë shqipe në rajon. Shumica e betejave u zhvilluan në këtë kullë.

Kulla tjetër (kulla e grave) është ndërtuar në vitin 1912 dhe tani quhet kulla e zjarrit.

Ajo u shkatërrua gjatë luftës, por në vitin 2004 u restaurua brenda dhe jashtë. Dëmet në mure ende mund të shihen. Kulla tani përdoret si muze.

Kompleksi Memorial i Isë Boletinit, Foto: Ministria e Kulturës

Manastiri i Dragancit në Novobërdë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me tre korrik të vitit 2023 pat shkruar se “Në kuadër të programit të përbashkët mes MKRS, BE dhe UNDP, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës.

Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.

Manastiri i Dragancit, Novobërdë, foto Kryeministri i Kosovës

Shtëpia tradicionale e familjes Lokvica

Shtëpia e ndërtuar në shek. XIX e cila ishte pranë rrënimit të tërësishëm është funksionalizuar gjatë vitit 2023.

Kjo ndërtesë dykatëshe e ndërtuar nga guri dhe qerpiçët të sistemit “bondruk” me trarëza prej druri ishte shtëpi e një stili arkitektonik e cila veçohet edhe në ditët e sotme për karakteristikat e saj.

Shtëpia tradicionale e familjes Lokvica, Foto: Ministria e Kulturës

Rifunksionalizimi i 14 shtëpive tradicionale në Janjevë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka filluar rifunksionalizimi i 14 shtëpive tradicionale në Janjevë.

Shtëpia me restaurim, Foto: Ministria e Kulturës

“Ditën sot e nisëm në qytetin e vjetër të Janjevës, një vend plot bukuri të cilit po i kthehet jeta dhe po merr vëmendjen e merituar nga shteti.”, shkroi Çeku në Facebook.

Shtëpia qe ndan rrugët , Foto: Ministria e Kulturës

Kulla e Hasan Tafollit

Kulla e Hasan Tafollit, që gjendet në fshatin Çadrak të Komunës së Suharekës, është karakteristike për nga tipologjia dhe funksioni.

Është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer kryesisht për banim dhe për ruajtjen e bagëtisë, por, sipas nevojave dhe rrethanave të kohës, ka pasur edhe funksione të tjera.

Kulla e Hasan Tafollit

Mulliri dhe Hambari në Senik të Malishevës

Mulliri dhe Hambari në fshatin Senik të komunës së Malishevës është restauruar gjatë vitit 2023.

Foto: MK/ Mulliri dhe Hambari

Shtëpia e Drane Bojaxhiut

Me 25 prill të 2023 është njoftuar se është restauruar Shtëpia e Drane Bojaxhiut, në Novosellë të Gjakovës.

Përndryshe, kjo është shtëpia e Nënës Terezë.

MK/ Shtepia e Drane Bojagjiut

Kulla e Sahit Avdylit

Në prill të këtij viti, është përuruar restaurimi i Kullës së Sahit Avdylit, në fshatin Duvjakë të Gjakovës.

Kulla e Zeqë Ramë Sadrisë

Në mars të 2023, është njoftuar se ka përfunduar restaurimi i Kullës së Zeqë Ramë Sadrisë në Gjakovë.

Shtëpia e Ryshyt Këpuska

Kjo shtëpi konsiderohet të jetë një nga shtëpitë më të vjetra të qytetit të Gjakovës, me rëndësi të veçantë arkitekturore për qytetin.

‘Një nga shtëpitë më të vjetra në Gjakovë pas punimeve nga profesionistët ka marrë pamje të re. Shtëpia e Ryshyt Këpuskës në rrugën e Çabratit përfaqëson vlera unike të trashëgimisë kulturore si dhe ka rëndësi të veçantë arkitekturore për qytetin.’, thuhej në njoftimin e MKRS-së.

Shtëpia tradicionale e piktorit Hamdi Bardhi në Prizren

Përmes një postimi në rrjetet sociale MKRS ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i shtëpisë tradicionale të piktorit Hamdi Bardhi në Prizren.

“Po vazhdojnë investimet në asete të trashëgimisë kulturore në gjithë vendin. Trashëgimia jonë do të jetë në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar përmes një njoftimi MKRS-ja.

Pamje nga brenda : Shtëpia tradicionale e piktorit Hamdi Bardhi në Prizren

Shtëpia e familjes Kabashi

Gjatë muajit mars është restauruar Shtëpia e Familjes Kabashi në Prizren.

Kulla e Sheremetit

Kulla në Pejë, një ish-burg famëkeq i Serbisë

Objekti që sot njihet si “Kulla e Sheremetit”, dikur kishte shërbyer si burg, ku malltretoheshin shqiptarët.

-Institucioni i burgut ishte funksional gjatë periudhës 1918-1946.
-Ndryshe, kjo kullë ndodhet në rrugën që lidhë urën e gurit me urën e zallit në Pejë.


Hani i Haraçisë

Kompleksi Hani i Haraqisë gjendet në afërsi të Xhamisë së Hadumit në Gjakovë dhe kjo dëshmon për vjetërsinë e këtyre objekteve.

Objektet pjesën më të madhe të kohës kanë shërbyer si bujtinë (hotel), ku udhëtarët kanë ardhur në qytet për tregti, kanë fjetur, janë ushqyer dhe në oborrin e objektit (karvansarajet) i kanë lënë kafshët, që i kanë përdorur për transport.

Ami Bue përmend në vitin 1835 hanin e bukur të Haraqisë dhe të Islam Agës në Gjakovë.

Mylleri më 1838 përmend hanin dhe karvansarajin e madh të Gjakovës, që strehonte deri në 100 mysafirë, tregtarë me kafshët e tyre.

Sot hani shërben si objekt hotelier dhe për organizime të ndryshme.

Kompleksi në fjalë përbëhet nga Hani i Vjetër në perëndim dhe Hani i Ri në lindje. Hani i Vjetër supozohet të jetë ndërtuar pas ndërtimit të Xhamisë së Hadumit, ndërsa Hani i Ri është ndërtuar në vitin 1901.

Hani i Vjetër është objekt i ndërtuar në dy etazhe. Përdhesa është e ndërtuar me gurë, ndërsa kati me tulla të pjekura dhe hatulla.

Të fundit nga rubrika