Rasti i Skenderajt nuk duhet parë si incident i izoluar. Ai është pasojë direkte e kulturës politike që është ndërtuar ndër vite. Një kulturë ku liderët ndezin militantizëm, ndërsa pastaj shtiren të habitur kur ai militantizëm shpërthen në agresion.
Imer Mushkolaj
Dhuna në Skenderaj, ku kryetari i komunës bashkë me njerëz të tij dyshohet se u përfshinë në rrahjen e kryetarit të Lëvoizjes Vetëvendosje atje, njëherësh zëvendësministër, është një nga ato ngjarje që nuk guxojnë të relativizohen, të arsyetohen apo të kalojnë si incident i zakonshëm. Rasti nuk ka të bëjë vetëm me një përleshje ndërmjet individësh, por me një mesazh të rrezikshëm politik: se pushteti mund të përdor forcën fizike kundër kundërshtarit. Kjo është alarmante.
Kosova ka përjetuar shumëçka për të ndërtuar një sistem demokratik, ku gara politike zhvillohet me fjalë, me ide dhe me votë. Jo me grushte. Jo me frikësim. Jo me linçim fizik të atij që mendon ndryshe. Në momentin kur dhuna hyn si instrument komunikimi politik, demokracia fillon të rrëshqasë në një terren të rrezikshëm ku më i forti fizikisht tenton ta zëvendësojë argumentin.
Zyrtarët publikë dhe njerëzit që mbajnë pushtet lokal kanë përgjegjësi shumë më të madhe sesa qytetari i zakonshëm. Ata duhet të jenë shembull i përmbajtjes, jo promotorë të agresivitetit. Sepse kur një kryetar komune përfshihet në dhunë fizike ndaj kundërshtarit politik, ai nuk e ul vetëm veten. Ai e degradon institucionin që përfaqëson.
Por, më shqetësuese se vetë ngjarja është heshtja që pasoi. Në vende me kulturë demokratike minimale, reagimi i partisë do të duhej të ishte i menjëhershëm dhe i qartë: dënim i dhunës, distancim nga sjellja e zyrtarëve dhe kërkim përgjegjësie. Mirëpo, në rastin e Skenderajt, ajo që u pa nga shumë zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës ishte një heshtje e ftohtë, pothuajse normale, sikur ngjarja të mos meritonte as shqetësim e as reflektim. Kjo heshtje e bën problemin edhe më të madh. Dhuna nuk normalizohet vetëm nga ata që e ushtrojnë, por edhe nga ata që nuk e dënojnë. Nga ata që mbyllin sytë, sepse dhunuesi është “i yni”. Nga ata që reagojnë vetëm kur viktima është nga kampi i tyre politik. Dhe pikërisht ky standard i dyfishtë e ka helmuar diskursin publik në Kosovë tash e shumë vjet.
Nëse sot arsyetohet rrahja e një kundërshtari politik sepse “na provokoi”, nesër do të arsyetohet çdo formë tjetër e agresionit. Kështu nis degradimi i një shoqërie. Jo menjëherë, por gradualisht, duke e bërë dhunën pjesë normale të jetës publike.
Fushatat zgjedhore në Kosovë janë bërë prej kohësh toksike. Gjuha e urrejtjes, etiketimet, shpifjet dhe demonizimi i kundërshtarit janë shndërruar në rutinë. Kundërshtari politik nuk shihet më si rival demokratik, por si armik që duhet poshtëruar, eliminuar apo shkatërruar. Dhe kur politika prodhon vazhdimisht këtë frymë, dhuna fizike bëhet vetëm një hap i radhës. Prandaj, rasti i Skenderajt nuk duhet parë si incident i izoluar. Ai është pasojë direkte e kulturës politike që është ndërtuar ndër vite. Një kulturë ku liderët ndezin militantizëm, ndërsa pastaj shtiren të habitur kur ai militantizëm shpërthen në agresion.
* * *
Politikanët në Kosovë flasin vazhdimisht për demokraci, por shumë prej tyre nuk e durojnë dot ekzistencën e mendimit ndryshe. E konsiderojnë komunën, partinë apo qytetin si pronë private, në të cilat kundërshtari nuk ka të drejtë të hyjë. Ky mentalitet është thellësisht antidemokratik.
Askush nuk duhet të ketë frikë të mbajë aktivitet politik në asnjë qytet të Kosovës. Askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar fizikisht për shkak të bindjeve politike. Në momentin kur qytetarët fillojnë të mendojnë se pjesëmarrja politike mund t’u kushtojë me dhunë, demokracia fillon të humbasë kuptimin e saj.
Është veçanërisht problematike kur dhuna vjen nga njerëz që kanë mandat publik. Sepse ata kanë përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe morale. Një kryetar komune nuk është tifoz i mëhallës, por përfaqëson institucionin. Çdo veprim i tij transmeton mesazh te qytetarët. E kur ai mesazh është se kundërshtari mund të sulmohet fizikisht, atëherë dëmi shkon shumë përtej një incidenti të momentit.
Në gjithë këtë histori mungoi edhe një element tjetër i rëndësishëm: reflektimi. Ende nuk ka pendesë të sinqertë, përkundrazi, pati relativizime, justifikime dhe përpjekje për ta zhvendosur fokusin. Kjo tregon se politika jonë ende nuk e ka kuptuar se dhuna nuk është vetëm problem penal. Është problem kulturor dhe politik.
Shoqëritë demokratike nuk maten vetëm nga zgjedhjet që organizojnë, por nga mënyra si sillen ndaj kundërshtarit politik. Demokracia nuk testohet kur pajtohemi me njëri-tjetrin, por kur përballemi me dikë që nuk e durojmë politikisht dhe, megjithatë, ia njohim të drejtën të flasë, të organizohet dhe të garojë lirshëm.
Kosova ka nevojë urgjente për një ndryshim të kulturës politike. Për më pak histeri partiake dhe më shumë përgjegjësi publike. Për më pak militantë që e shohin politikën si luftë fizike dhe më shumë qytetarë që e kuptojnë se kundërshtari nuk është armik.
Kjo përgjegjësi bie mbi partitë politike, mbi liderët dhe mbi secilin zyrtar publik. Ata duhet ta bëjnë të qartë se dhuna nuk pranohet. As kur vjen nga kundërshtari, as kur vjen nga njerëzit e tyre. Sepse, nëse dhuna tolerohet sot për interes partiak, nesër askush nuk do ta kontrollojë dot.
Politika duhet të jetë garë idesh, jo garë force. Fjala duhet ta mundë grushtin, jo e kundërta.