Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës(SHKK), në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me ikjen e një të burgosuri nga burgu në veri të Kosovës, i cili ishte duke vuajtur dënimin për vrasje.
Ai ka thënë se i arratisuri kishte mbajtur afër 11 vite burg dhe se i kishin mbetur edhe 3 vite e gjysmë për të vuajtur.
Tutje, Dibrani ka bërë të ditur se pas marrjes së informatës për ikjen, kanë filluar hetimet e brendshme, duke përfshirë edhe Inspektoratin, në koordinim të ngushtë me policinë dhe prokurorinë e shtetit.
“Fillimisht, ne kemi pezulluar drejtorin e Qendrës së Paraburgimit atje, kemi pezulluar një Mbikëqyrës të Lartë, po ashtu tre oficerë korrektues, dhe tashmë kemi arrestimin e parë të një oficeri korrektues,” ka thënë ai.
Dibrani ka deklaruar se nuk është e mundur që të arratiset dikush nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë “pa ia hapur derën dikush”.
“Jo, është e vështirë, sepse vlerësohet si burg i sigurisë së lartë, është qendër paraburgimi dhe në asnjë rrethanë nuk mund të largohet një person pa pasur neglizhencë të skajshme të stafit ose edhe bashkëorganizim nga ana e stafit,” është shprehur ai.