Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas publikimit në media të një punimi të vitit 2012, ku figuron si bashkautor dhe ku janë bërë aludime se në të përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Basha ka thënë se autorësia e tij lidhet vetëm me Kapitullin 3 të atij punimi, i cili trajton temën e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3… Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, ka shkruar ai.
Basha ka bërë të ditur se edhe autorja kryesore e punimit, Jana Arsovska, ka dërguar një email demantues për media, ku ka sqaruar se Basha ka dorëzuar vetëm Kapitullin 3 dhe nuk mban përgjegjësi për pjesët tjera të artikullit.
Ai ka nënvizuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe sakrifica e popullit për liri janë vlera të shenjta për të, duke e quajtur të pavërtetë çdo pretendim që e lidh me qëndrime kundër UÇK-së.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë”, ka theksuar ai.
Në fund, kryetari i Kuvendit ka kërkuar falje qytetarëve për shqetësimin e shkaktuar dhe u ka bërë thirrje mediave që të raportojnë me kujdes për tema të ndjeshme që, sipas tij, nuk lidhen vetëm me individë, por me tërë popullin e Kosovës.