Në deklaratën e tij përmbyllëse, avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, ka deklaruar para panelit gjyqësor se nuk ka prova që të lidhen me aktivitetet e klientit të tij gjatë periudhës së luftës, duke theksuar se Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) po i mungojnë bazat për akuzat e ngritura.
Dixon argumentoi se Prokuroria po përpiqet të gjejë shenja të veprimtarisë së Veselit pas luftës, në mungesë të fakteve konkrete nga koha e konfliktit, njofton Dukagjini.
Dixon sqaroi se çdo referencë për aktivitetet e Veselit në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) lidhet vetëm me periudhën pas përfundimit të luftës.
Ai theksoi se aktivitetet e pasluftës, përfshirë mbledhjen e informacionit, nuk mund të konsiderohen si prova për veprimtarinë gjatë luftës.
“Kur Veseli flet për zhvillimin e Shërbimit Informativ i Kosovës (SHIK) pas luftës, ajo s’ka të bëjë fare me atë që mund të ketë ndodhur gjatë luftës. Nëse pas luftës po konsiderohej marrja e ndonjë informacioni, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë ka ndodhur edhe gjatë luftës. Në fakt ata nuk mund ta bënin këtë gjatë luftës”.
“Nuk ka asgjë të paligjshme që të ekzistojë një strukturë e shërbimeve të zbulimeve civile që merret me çështjet dhe rreziqet e sigurisë. Prokuroria e neglizhon dhe nuk e përmend se Veseli e ka bërë absolutisht të qartë se nuk bëhej fjalë për hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve. Kjo ishte pas luftës, e gjitha është në intervistë, por është injoruar tërësisht nga Prokuroria”.
Kujtojmë se shpërbërja e SHIK-ut është bërë publike menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008.
Gjykimi në Hagë, Dixon: Veseli do të shpallet i pafajshëm, përpjekjet e ZPS-së janë të kota