Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, i ka bërë thirrje trupit gjykues që ta shpallë klientin e tij të pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij, duke theksuar se çdo vendim ndryshe do të përbënte, sipas tij do të ishte një padrejtësi të madhe.
Në përfundim të fjalës së tij përmbyllëse, Dixon deklaroi se Veseli meriton një vendim të drejtë dhe lirimin nga të gjitha pikat e aktakuzës teksa argumentoi se Prokuroria nuk ka arritur të provojë asnjë nga pretendimet e ngritura ndaj ish-kreut të UÇK-së, njofton Dukagjini.
“Veseli meriton një vendim të drejtë dhe të duhur ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh e kundërta, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha Dixon në fund të fjalës përmbyllëse.
“Do vini në përfundimin që klienti im nuk është i përfshirë në asnjë prej krimeve të cilat pretendon Prokuroria që ai i ka kryer”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, jo vetëm që mungojnë provat për fajësi, por ekzistojnë edhe elemente që, siç u tha, dëshmojnë pafajësinë e plotë të Veselit. Për këtë arsye, avokati kërkoi që pretendimet e Prokurorisë të rrëzohen në tërësi.
“Dhe, nga ana tjetër ka shumë pika që mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm. Ne parashtrojmë që parashtrimi i prokurorisë të hidhet krejtësisht poshtë”, u shpreh Dixon.
Dixon u shpreh se nuk është e drejtë që ndjekja penale ndaj Veselit të shihet si mënyrë për të arritur një lloj “qetësie shpirtërore” për viktimat.
Pas përfundimit të mbrojtjes së Veselit, gjatë ditës pritet të nisë paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga mbrojtja e Rexhep Selimit.