Një prej zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella, njoftoi sot publikisht dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar atë si “vendimin më të vështirë” në karrierën e tij politike.
Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.
“Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.
Megjithatë, dokumenti i siguruar nga Dukagjini tregon se Dragidella kishte dhënë dorëheqje kohë më parë.
Në letrën e datës 23 korrik 2024, të adresuar për kryetaren e Qendrës së LVV-së në Klinë, Teuta Mulaj, Dragidella deklaron dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të kësaj qendre, duke përmendur arsye personale.
“Për arsye personale jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Qendrës në Klinë”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga ai.