Dorëheqja e Memli Krasniqit, çfarë thotë Bardhyl Mahmuti si i përmendur për udhëheqjen e partisë?

Memli Krasniqi të mërkurën e 12 nëntorit dha dorëheqje nga kreu i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), teksa u thirrë në mundësinë e re për atë që e quajti “familjen tonë demokratike”.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën. PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mire”, tha Krasniqi në konferencën e thirrur ku njoftoi dorëheqjen.

Dorëheqja e Krasniqit erdhi pesë muaj pas rizgjedhjes në krye të PDK-së në qershor edhe për një mandat të dytë. Drejtimin e partisë, Memli Krasniqi, e kishte marrë në vitin 2021.

Në konferencë ai njoftoi se Konventa e partisë do të mblidhet më 17 nëntor ku do të zgjidhet edhe kryetari i ri.

Vetë Krasniqi, u shpreh se nuk e di ende se kush do të garojë për të parin e partisë në Konventën e së hënës, por shtoi se do ta mbështesë Bedri Hamzën nëse ai garon.

Analisti politik, Sadri Ramabaja, në Debat Plus në TV Dukagjini, ka komentuar dorëheqjen e Memli Krasniqit nga drejtimi i PDK-së, duke e konsideruar këtë një mundësi për rishikimin e pozicionimit të partisë.

Ai ka theksuar se PDK nuk ka nevojë për oligarkë, administratorë apo figura që nuk kanë ndikim ideologjik, duke përmendur se Bedri Hamza nuk e përmbush këtë rol. Sipas Ramabajës, për ta rikëndellur dhe reformuar PDK-në, dy figura të përshtatshme janë Bardhyl Mahmuti ose Genc Prelvukaj, nëse do të gjenin mbështetjen e njerëzve të fuqishëm realë brenda partisë.

“PDK ka nevojë për një politikë të mirëfilltë, me një mendim politik të art, dhe në pikëpamjen time janë dy figura që mund ta rikëndellin dhe ta reformojnë, ata janë Bardhyl Mahmuti ose Genc Prelvukaj. Këto dy figura në rast se do gjenin mbështetjen e njerëzve të fuqishëm real në PDK, po flas për njerëz që kanë mendim politik, dhe dinë të artikulohen qartë edhe në rrafshin ideologjik”, ka deklaruar Ramabaja në Debat Plus.

Vetë Bardhyl Mahmuti për Dukagjinin ka thënë se shpreson që drejtuesit legjitim të Partisë Demokratike të Kosovës të kthehen sa më parë në Kosovë.

“Shpresoj që drejtuesit legjitim të PDK-së të kthehen sa më parë në Kosovë”, tha Mahmuti.

Krahas aktiviteteve të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Mahmuti thotë se preokupimi i tij është fati i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë që po gjykohen në Hagë dhe jo pozitat partiake.

“Krahas aktiviteteve që lidhen me qëllimet e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, për të sensibilizuar opinionin rreth krimit të gjenocidit që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe veprave shkencore e letrare që kam publikuar për të ndriçuar këtë krim, preokupimi im është fati i njerëzve që padrejtësisht mbahen prapa grilave në Hagë! Nuk ka nevojë të rikujtoj se në Hagë mbahen përfaqësues legjitim të institucioneve shtetërore dhe partiake të Kosovës. Rrjedhimisht edhe të PDK-së”, deklaroi Mahmuti për Dukagjinin.

Megjithatë, Mahmuti respekton dorëheqjen e Krasniqit teksa edhe respekton të drejtën e kujtdo që të konkurrojë në drejtim e PDK-së.

“Pa u lëshuar në arsyet e dorëheqjes së z. Memli Krasniqi, unë respektoj të drejtën e çdonjërit të tërhiqet apo të konkurrojë për drejtimin e partisë. Mirëpo, në rrethana që na ka imponuar procesi gjyqësor në atë që është bërë e zakonshme të quhet Gjykatë Speciale, çdo njëri që do të marrë drejtimin e të PDK-së, duhet ta ketë prioritet kryesor mobilizimi për ngadhënjimin e drejtësisë dhe lirimin e drejtuesve saj legjitimë. Përzgjedhja e dëshmitarëve të mbrojtjes së Hashim Thaçit ka dëshmuar një shkallë të lartë të profesionalizmit, duke shpartalluar tërësisht të gjitha shtyllat e sajuara ku mbështetej Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Mbetem me shpresë që trupi gjykues do të peshojë në mënyrë të paanshme kredibilitetin e dëshmive që solli mbrojta dhe të hedhë poshtë dëshmitë e dëshmitarëve të akuzës, të bazuara në sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë. Jam i bindur në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit! Uroj që të kthehen sa më shpejtë në Kosovë dhe të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve brenda shqiptare!”, tha Mahmuti.

 

Shija e redaktorit

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Panairi i Librit në Tiranë: “Dukagjini” me 50% zbritje, stenda...

Në Tiranë ndihet kudo aroma e librit! Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia...

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Të fundit nga rubrika