Pas arrestimit të një mësimdhënësi të Shkollës Fillore “Pavarësia” në Prishtinë për dhunë ndaj një nxënësi, drejtori për Arsimin në kryeqytet, Samir Shahini, ka reaguar lidhur me rastin.
Shahini ka theksuar se dhuna në shkolla është e papranueshme dhe kërkon veprim të shpejtë nga organet e drejtësisë.
Ai ka shtuar se rasti nuk është i izoluar, por pasojë e një dështimi të gjerë institucional, ku shkollat mbahen të vetme përballë problemeve sociale, pa psikologë të mjaftueshëm, pa punëtorë socialë dhe mekanizma mbrojtës.
Për këtë, ai ka fajësuar Ministrinë e Arsimit, duke thënë se nuk ka veprime serioze nga ana e tyre.
“Kjo qasje është e padrejtë dhe e rrezikshme. Ministria e Arsimit mban përgjegjësi direkte për këtë gjendje. Në vend të veprimeve serioze, ajo vazhdon të prodhojë udhëzime administrative të shkëputura nga realiteti në terren, të cilat vetëm e rëndojnë punën e shkollave dhe e lënë sistemin edhe më të ekspozuar. Kjo nuk është reformë – është shmangie e përgjegjësisë”, ka shkruar Shahini.
Ai i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, shërbimeve sociale, organeve të sigurisë, prindërve dhe mediave për veprim urgjent dhe të koordinuar, duke kritikuar burokracinë dhe deklaratat formale.
Shahini thekson se shkollat dhe drejtoritë komunale nuk kanë as kompetenca, as mjete dhe as staf të mjaftueshëm për të zëvendësuar mungesat strukturore të sistemit.
“Kërkoj veprim urgjent, të koordinuar dhe të matshëm nga të gjitha hallkat – përfshirë Ministrinë e Arsimit, shërbimet sociale, organet e sigurisë, prindërit dhe mediet. Jo deklarata formale, jo burokraci, jo heshtje, por veprim”, ka shkruar tutje ai.