Michael Durkee në Hagë ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetin dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën e cila u zhvillua në verën e viti 1999.
“Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi ta bërë këtë gjë atëkohë”, tha Durkee, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se këtë e bazon për faktin se kur UÇK-ja e mori përsipër demilitarizimin, po bëhej përpjekje që të realizohej kjo.
Por, dëshmitari tha se kjo e bëri të kuptojë se e gjitha bazohej në nivele lokale dhe nuk kishte asnjë strukturë komanduese që Thaçi mund të përdorte për të ndaluar dhunën.
“Nuk ekzistonte absolutisht asnjë strukturë komanduese që ai mund të përdorte për të ndaluar dhunën”, tha Durkee.
Durkee tha se ata kishin përshtypje se në Kosovë nuk kishte një strukturë të konsoliduar të komandës që të jepnin urdhra që të mos kryheshin veprime të caktuara në terren.
“Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komandës që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, tha Durkee.
Kjo nuk ishte në Kosovë ashtu siç është zakonisht në ushtritë perëndimore, sipas Durkee.
“Domethënë nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande në kuptimin e koordinimit të drejtpërdrejtë të komandës siç domethënë në ushtrinë perëndimore”, deklaroi ai.
Durkee pohoi se ishte Hashim Thaçi njëri prej personave që thoshte se duhej të krijohej një Kosovë multietnike.
Ai pohoi se Thaçi ka bërë një fjalim më 1999-ën duke bërë thirrje që të ndalohej dhuna.
Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Krasniqit pasi ajo e Veselit dhe Selimit nuk patën pyetje.