Dyfytyrësia e Prokurorisë dhe një flamur i përdhosur

Flamuri i Kosovës u përdhos në Prishtinë nga një shtetas i Shqipërisë. Ndryshe nga raste të ngjashme në të kaluarën, Prokuroria vendosi të mos e ndjekë penalisht, por ta konsiderojë kundërvajtje për prishje rendi dhe qetësie publike. Një qasje selektive dhe precedent i rrezikshëm për të gjithë ata që mund t’i fyejnë simbolet e shtetit në të ardhmen. A është flamuri i Kosovës më pak i rëndësishëm se ai i shteteve të tjera? A është ndjenja kombëtare e qytetarëve të Kosovës më pak e vlefshme se ajo e shtetasve të tjerë?

Shkruan Imer Mushkolaj

Një shtetas i Shqipërisë para dy ditësh e shkeli flamurin e Kosovës në qendër të Prishtinës. Por, ai nuk është procedurar penalisht për përdhosjen e simbolit kombëtar. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se në këtë akt nuk ka vërejtur vepër penale.

Në të kaluarën disa raste të përdhosjes së simboleve që përfaqësojnë shqiptarët dhe komunitetet joshumicë janë ndjekur nga prokuroria dhe janë dënuar nga gjykatat për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me një mijë euro gjobë një shqiptar nga Gjakova për djegien e flamurit të Serbisë në një ndeshje futbolli. Një tjetër shqiptar nga Prizreni ishte dënuar me një mijë euro gjobë me kusht për hedhjen e flamurit turk në lumë. Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar me dy mijë euro me kusht një serb nga Kllokoti, i cili e kishte vendosur në kishën e fshatit një flamur serb me hartë të Kosovës. Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një mësuesi i cili flamurin kuqezi dhe plisin i ka hedhur në shportën e mbeturinave në klasë. Për nxitje të përçarjes janë ndjekur edhe shtetas të Serbisë dhe Malit të Zi të cilët, gjatë kremtimit të Vidovdanit, kanë bërë thirrje urrejtëse ndaj shqiptarëve. Ata janë dënuar me dëbim nga shteti dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për pesë vjet. Por, në rastin e fundit të përdhosjes së flamurit të Kosovës, prokuroria ka njoftuar se çështje ka kaluar në kundërvajtje, për prishjen e rendit të qetësisë publike

Me këtë vendim, prokuroria duket se ende nuk e ka kuptuar se simbolet e shtetit nuk janë letër higjienike, që përdoren e hidhen sipas disponimit të ndonjë individi që vjen nga jashtë. Një person që shkel flamurin nuk mund të trajtohet si një shkelës i rendit public, sepse ai është përdhosës i një simboli shtetëror.

Pra, dikush që e ka djegur flamurin e Serbisë apo e ka hedhur flamurin turk në lumë është ndjekur penalisht dhe është dënuar, duke u zbatuar neni për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, por kur përdhoset flamuri i Kosovës, çuditërisht ky nen pushon së ekzistuari. Çfarë hipokrizie!

Kjo qasje selektive është më shumë se sa problem ligjor – është fyerje ndaj shtetit, ndaj qytetarëve të tij dhe ndaj çdo simboli që përfaqëson pavarësinë. Është mesazh i qartë: flamuri i Kosovës paska më pak rëndësi se flamujt e tjerëve. Madje, më pak rëndësi se heshtja e një prokurori që nuk guxon ta thotë të vërtetën me zë.

* * *

Prokuroria ka detyrë që të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë, jo sipas emrit, kombësisë apo vendndodhjes së autorit. Dhe në këtë rast, ka dështuar. Jo vetëm duke mos e mbrojtur flamurin, por duke e përçmuar peshën simbolike të tij, përkatësisht qytetarët e vendit.

Flamuri i Kosovës nuk është copë pëlhure që valvitet në erë për dekor, por përfaqëson historinë, sakrificën dhe aspiratat për të qenë të barabartë mes kombeve. Nëse ai përdhoset dhe prokuroria thotë “nuk është gjë e madhe”, atëherë është e qartë se kemi një problem serioz jo vetëm me ligjin, por me ndërgjegjen. Më problematik se vetë akti i përdhosjes është normalizimi i këtij akti nga ata që paguhen për të mbrojtur dinjitetin.

Në këtë shoqëri ku drejtësia shpesh është e verbër ndaj realitetit, kjo qasje përforcon idenë se prokuroria ka standarde të dyfishta. Ka ligj për flamurin e huaj, por jo për tonin. Ky nuk është vetëm një incident i izoluar. Kjo është pasqyrë e mënyrës se si funksionon një sistem që shpesh vendos çfarë është “penale” jo sipas ligjit, por sipas rrethanave, emrit, apo përkatësisë së personit që e bën shkeljen. Nëse ky akt do të ishte bërë nga një serb në veri, zhurma institucionale do të ishte më e madhe. Por për faktin se ky ishte një shqiptar nga Shqipëria, gjithçka u kalua në heshtje e në “kundërvajtje”.

Institucionet e drejtësisë nuk duhet t’i trajtojnë simbolet e shtetit si lodra të politikës apo të opinionit publik. Nuk mund të ketë drejtësi selektive kur bëhet fjalë për dinjitetin e një kombi dhe të një shteti që ende lufton për të fituar respekt në arenën ndërkombëtare. Nëse nuk i mbrojmë vetë simbolet tona, nuk mund të presim që të tjerët t’i respektojnë.

Ky rast është një mundësi për të rishikuar dhe përmirësuar praktikat e drejtësisë në Kosovë. Është e nevojshme që të krijohet një qasje e unifikuar dhe e drejtë ndaj të gjitha rasteve të përdhosjes së simboleve kombëtare, pa dallim origjine apo kombësie. Vetëm kështu mund të sigurohet një shtet i fortë dhe i respektuar, në të cilin të drejtat dhe ndjenjat e qytetarëve janë të mbrojtura dhe të vlerësuara.