Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.R., banor i Ferizajt, për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 15 shtator 2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj të Ferizajt. I dyshuari, pas një konflikti pronësor të mëhershëm me viktimën, që ishte djali i axhës së tij, është takuar me të në rrugën e fshatit.
Pas një fjalosjeje verbale, B.R. dyshohet se ka nxjerrë armën e tipit ZIG 14 TISAS dhe ka shtënë katër herë në drejtim të I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit.
Viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Emergjente të Ferizajt, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
I dyshuari ndodhet në ndalim policor prej 15 shtatorit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tij për 30 ditë.
Prokuroria jep detaje për vrasjen në Ferizaj, i dyshuari ndalohet për 48 orë