Faton Bislimi do të paraqesë kandidaturën për kryetar të LDK-së

Faton Bislimi do të paraqesë kandidaturën për kryetar të kësaj partie në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së, që do mbahet më 19 nëntor 2023. Ky vendim, sipas tij, vjen si përgjigje ndaj atyre që kanë filluar “të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar”

Faton Bislimi

Faton Bislimi ka njoftuar se do të paraqesë kandidaturën për kryetar të kësaj partie, në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do të mbahet më 19 nëntor 2023.

Bislimi ka thënë se ky vendim vjen jo vetëm si “vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj atyre që kanë filluar “të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar”.

“Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë. Si atëherë, ashtu edhe tani, unë zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, ofroj gjithëçka nga vetja ime!”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se dorëheqja e tij nga kryesia ishte akt moral dhe paralajmërim i drejtpërdrejtë që rruga që kishte zgjedhur LDK-ja nën këtë udhëheqësi ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themeltare dhe idealet kombëtare për të cilat do të duhej të qëndronte LDK-ja.

Bislimi është shprehur se beson në vlerat e përbashkëta që duhet të ofrojë LDK-ja.

“Besoj dhe angazhohem për secilin që e sheh LDK-në si strumbullar të zhvillimeve pozitive për shtetin dhe kombin. Besoj në vendin meritor dhe vlerësimin adekuat që duhet dhënë për secilin që nuk kurseu asgjë nga vetja për të mirën e vendit përmes LDK-së. LDK-ja e vërtetë është ndërtuar e mbajtur nga puna vullnetare e aktivistëve të saj, nga kontributdhënësit e përkrahësit pa asnjë kusht, nga ai mësuesi e ajo mjekja që punonin pa kompenzim, nga ai ushtari i lirisë që luftën e bënte për shtet e jo për pushtet, nga ata mërgimtarët tanë që ndanin jo vetëm kafshatën e gojës por edhe gjithëcka tjetër që u kërkohej, vetëm e vetëm për ta mbajtur në këmbë idenë e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. E kjo ide ishte frymëzimi i krejt Kosovës. Kjo ide e lirisë e pavarësisë, anipse fillimisht dukej e pamundur, u bë realitet, u arritë nën lidershipin e Presidentit Rugova dhe njerëzve më intelektualë e të urtë të kohës, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, u likuiduan mizorisht nga dorë e zezë antikombëtare edhe pas agut të lirisë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, LDK-ja nuk rritet e ringritet duke anashkaluar, përjashtuar, e përbuzur, por duke përbashkuar, respektuar, e mirënjohur secilin që ndan besimin për të.

“Derisa të panjohurat e së nesërmes na sjellin dilemat e tanishme, e kaluara na jep mësimet. Të frigohemi nga shpërfaqja e bindjeve tona të përzemërta është të mohojmë vetën. Të ruajmë të mbyllura në vete qoftë kontradiktat apo edhe dashamirësitë është devijuese ndaj progresit njerëzor e po ashtu edhe politik. Në dallime e kundërshti nuk duhet ligështuar; përkundrazi, duhet frymëzuar. Të definohemi nga ajo që na përbashkon është shumë më frutdhënëse sesa nga ajo që na dallon. Unitet në dallime – është vlera më e rëndësishme e busollës së orientimit tim politik. Andaj, 19 nëntori është shanci, ndoshta edhe i fundit, për ruajtjen e LDK-së se vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare. Për secilen e secilin që përnjëmend ka besuar e beson në këto vlera e ideale, zgjedhja do jetë e lehtë atë ditë. Vetëm një LDK e tillë do të mund të sfidojë në mënyrë triumfaliste narrativën e atyre që përmes populizmit të skajshëm e pseudonacionalizmit kapën majat e pushtetit. E ky është shërbimi më i madh që do i bënim vendit, shtetit dhe gjeneratave të ardhëshme”, ka shtuar Bislimi.

Shija e redaktorit

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Të fundit nga rubrika