Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar se brenda 18 muajve do të krijohen 150 vende pune për qytetarët e komunës, si rezultat i një investimi prej 8 milionë eurosh nga biznesmenë të diasporës në Francë, me investitorin Hazis Vardar dhe mbështetjen e rrjetit shqiptar të bizneseve të udhëhequr nga Naim Dedushaj.
Ferati ka bërë të ditur se kompania farmaceutike Pharmabel, një fabrikë barnash, do të operojë në Dubravë, ku sot është vendosur edhe gurthemeli i saj.
Ai shtoi se ky investim do të kontribuojë në punësimin e të rinjve dhe në promovimin e Istogut si qytet inovativ.
“Brenda 18 muajve, 150 vende pune për qytetarët tanë, e gjithë kjo me një investim prej 8 milionë eurosh, të mbështetur nga biznesmenë të diasporës sonë në Francë me investitorin Hazis Vardar, si rezultat i ekzekutimit të mirëfilltë të rrjetit shqiptar të bizneseve, në krye me Naim Dedushaj. Kompania farmaceutike Pharmabel, një fabrikë e barnave që tani do të operojë në Dubravë, aty ku sot u vendos gurthemeli i saj, ndërsa tutje vazhdon punësimi i të rinjve dhe promovimi i Istogut si qytet inovativ, në të cilin po shndërrohet”, ka shkruar ai në Facebook.