Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke akuzuar partinë në pushtet se ka tentuar të blejë votën e vajzës së tij, deputetes së LDK-së, Marigona Geci, jo vetëm tani, por edhe gjatë vitit 2021.
Në një lidhje direkte në emisionin “Debat Plus”, Geci tha se nuk pranon asnjë ofertë politike në këmbim të votës dhe se mbetet besnik ndaj vlerave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Unë, Gani Geci, nuk e shes votën. Kanë provu edhe ata para këtyne, edhe këta… jo vetëm një herë, por edhe në vitin 2021. Më kanë çu njerëz në shtëpi që unë, në këmbim të posteve politike, ta shes votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës që e kanë dhënë për Lidhjen Demokratike të Kosovës fillimisht…”, tha Geci.
Ai akuzoi Vetëvendosjen për hipokrizi politike, duke e krahasuar qasjen e saj me atë që dikur e kritikonte te ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Ata vetë e kanë thënë – Lëvizja Vetëvendosje – që ka shku Hashim Thaçi me lyp vota në Malishevë, ai është tradhtar. Të njëjtën gjë po e bën tani Albin Kurti përmes Glauk Konjufcës, përmes atyne sejmenëve të vet nga Prizreni. Shitblerjen e deputetëve e kam ndal me një besnikëri për votën që e kanë dhënë qytetarët…”, shtoi ai.
Geci tha gjithashtu se, nëse do të dëshironte të ishte pjesë e Vetëvendosjes, do të siguronte mbështetje të gjerë elektorale, por nuk është person që ndryshon bindje politike për përfitime.
“Unë, me dashtë, e di që 100 mijë vota i marr në Vetëvendosje, sepse aty i marrin 100 mijë vota që s’i njeh askush, që s’i njeh as baba i vet. Por unë nuk jam ai që e ndërroj bindjen politike…”, përfundoi Geci.