Një grup gazetarësh ukrainas me qëndrim në Prishtinë, të shoqëruar nga hulumtuesi dhe gazetari i RTV Dukagjinit Ridvan Emini, kanë realizuar një vizitë në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël të Komunës së Rahovecit, dy nga zonat më të prekura nga krimet e luftës në Kosovë.
Kjo vizitë u mundësua nga Instituti “Octopus” në Prishtinë, nën udhëheqjen e Dr.Arben Fetoshi dhe kishte për qëllim njohjen nga afër me ngjarjet tragjike të luftës, si dhe dokumentimin e rrëfimeve të të mbijetuarve.
Në Krushë të Madhe, delegacioni u prit nga përfaqësues lokalë dhe vizitoi Muzeun e Masakrës, ku u njohën me dëshmitë dhe dokumentacionin që pasqyron krimet e kryera gjatë luftës. Po ashtu, gazetarët zhvilluan intervista me banorë të zonës, duke dëgjuar rrëfime personale mbi përjetimet gjatë luftës. Më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë e Madhe janë vrarë e masakruar 243 persona.
Ndërkohë, në Krushë të Vogël, gazetarët u informuan për masakrën ku u vranë 113 civilë shqiptarë, ndërsa 61 prej tyre ende konsiderohen të zhdukur.
Kjo vizitë u shoqërua me reflektim mbi pasojat e luftës dhe nevojën për drejtësi dhe kujtesë historike.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, delegacioni vizitoi edhe Kooperativën e Grave të Krushës ”KB Krusha”, të udhëhequr nga Fahrie Hoti, ku u njohën me punën dhe përkushtimin e grave që kanë rindërtuar jetën e tyre pas luftës përmes angazhimit ekonomik dhe solidaritetit.

Po ashtu, ky delegacion ka vizituar edhe shtëpinë muze të Profesor Ukshin Hoti, i cili është i zhdukur që nga viti 1999.

Kjo vizitë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e rrëfimeve të luftës në Kosovë dhe në forcimin e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për krimet e kryera, si dhe për qëndresën dhe rimëkëmbjen e komuniteteve lokale.