Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në disa qytete të vendit.
Rastet janë regjistruar në Obiliq, Prishtinë, Shtërpcë, Prizren, Klinë dhe Gjakovë.
Në Obiliq, një çift që kishte vendosur të bashkëjetojë, ndonëse gruaja kishte urdhër mbrojtës ndaj partnerit, janë përfshirë në një përleshje fizike. Të dy kanë marrë trajtim mjekësor dhe pas konsultimit me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Viktimave u është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet ende në arrati.
Në Shtërpcë, një mosmarrëveshje mes një çifti ka përfunduar me ndërhyrjen e policisë. Pas intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Prizren, një burrë është arrestuar pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij. Gjatë arrestimit ai ka sulmuar edhe policët, duke lënduar një zyrtar dhe duke dëmtuar orenditë në stacionin policor.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Klinë, një burrë është arrestuar pasi kishte sulmuar motrën e tij. Viktima pas trajtimit mjekësor është strehuar me dëshirën e saj në një strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Gjakovë, janë arrestuar dy vëllezër që janë rrahur mes vete.
Me urdhër të prokurorit, të dy janë dërguar në mbajtje.