Gjermania dhe Franca me propozim për zgjerimin e BE-së: Veçanërisht me disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor

Në prag të diskutimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania dhe Franca kanë propozuar një proces të përforcuar të integrimit gradual brenda Bashkimit Evropian, me qëllim përshpejtimin e zgjerimit dhe afrimin më konkret të vendeve kandidate me institucionet evropiane.

Në prag të samitit në Tivat, kancelari gjerman ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është vonuar prej shumë vitesh dhe se nevojitet një qasje më konkrete për të çuar procesin përpara.

“Për të diskutuar zgjerimin e Bashkimit Evropian, i cili prej shumë vitesh është vonuar, presidenti Macron dhe unë kemi paraqitur një propozim konkret se si të kalojmë në hapat e ardhshëm, si mund ta mundësojmë zgjerimin, veçanërisht me disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i aftë dhe i gatshëm për zgjerim, dhe këtë duam ta diskutojmë sot.

Natyrisht, ka një sërë çështjesh që duhet t’i zgjidhim, që duhet t’i zgjidhim së bashku, por mbi të gjitha duhet të qëndrojë fakti se kjo pjesë e Evropës i përket, në perspektivë, Bashkimit Evropian. Dhe nëse prej 13 vitesh nuk kemi pranuar anëtarë të rinj, kjo tregon se mangësitë janë edhe në anën e Bashkimit Evropian. Dhe këto duam t’i tejkalojmë sot. Kisha mundësinë të flas që këtë mëngjes me një sërë përfaqësuesish të rajonit, por tani do të diskutojmë në seancë plenare me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor për hapat e mëtejshëm, dhe shpresoj shumë që të arrijmë në përfundime të përbashkëta që do të zbatohen në Bruksel. Nuk është i rëndësishëm vetëm dita e sotme, por edhe zbatimi në ditët dhe javët në vijim në Bashkimin Evropian në Bruksel. Ndihem i inkurajuar nga bisedimet e mëngjesit të sotëm, por një pjesë e madhe e rrugës është ende përpara nesh. Megjithatë, puna është e realizueshme. Disa shtete anëtare tashmë janë në një fazë të avancuar, veçanërisht vendi pritës, kështu që mund të arrijmë shumë shpejt në rezultate të përbashkëta, dhe këtë e shpresoj”, ka thënë Merz.

Në vijim të kësaj qasjeje, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se ky propozim i përbashkët me Gjermaninë synon të sjellë një qasje më pragmatike dhe të zbatueshme për integrimin evropian, duke e bërë procesin e zgjerimit më të prekshëm për vendet e rajonit.

Macron ka nënvizuar se diskutimet me vendet e Ballkanit Perëndimor do të fokusohen në zbatimin e reformave dhe në krijimin e mundësive të reja për integrim gradual brenda BE-së.

“Së bashku me Gjermaninë kemi propozuar – dhe do ta diskutojmë menjëherë – një proces të përforcuar të integrimit gradual, që do të thotë konkretisht se kur një vend ka bërë përparim dhe ka arritur të përvetësojë acquis communautaire në një fushë të caktuar, ai mund të fillojë të integrohet në formatet e Bashkimit Evropian në atë fushë. Pra, do të diskutojmë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë agjendë, e cila lidhet me marrëdhëniet tona, me perspektivat e zgjerimit dhe që është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeopolitike, sepse në këtë rajon luhet edhe pavarësia e Evropës në aspektin energjetik, të sigurisë dhe të rrugëve migratore, prandaj është shumë e rëndësishme të ecim përpara. Përtej kësaj, do të trajtojmë edhe tema të tjera, planin e rritjes me Ballkanin dhe, natyrisht, çështjet bilaterale. Do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, por nëse keni pyetje të tjera lidhur me çështje ndërkombëtare. Ne kemi mbështetur gjithmonë negociata të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Kremlini”, ka thënë Macron.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika