Grupet përçarëse dhe rrjetet armiqësore: Rasti Hysri Selimi dhe nxitja e radikalizmit fetar në Kosovë

Arrestimi i Hysri Selimit, një ish-pjesëtari të organizatës terroriste ISIS nga Kosova, nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimet informative serbe, përbën një sinjal të qartë alarmi mbi thellësinë e ndërhyrjeve të jashtme në rrjedhat e brendshme të shoqërisë kosovare. Instituti për Tolerancë dhe Mendim Kritik – Kritikos, në mënyrë të vazhdueshme ka paralajmëruar për rrezikun që paraqesin këto lëvizje, të cilat me gjuhë fetare, por me përmbajtje politike dhe destruktive, përçajnë qytetarët e Kosovës, minojnë harmoninë ndërfetare dhe synojnë ta paraqesin Kosovën si një vend të rrezikshëm e të paqëndrueshëm. Tashmë është bërë e qartë se individë dhe grupe që më herët janë perceptuar si thjesht ekstremistë fetarë, në të vërtetë kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me shërbime të huaja që synojnë ta dobësojnë funksionimin e brendshëm të shtetit dhe të cenojnë sigurinë kombëtare.

Në këtë drejtim, është për t’u vlerësuar vigjilenca e institucioneve të sigurisë së Kosovës, të cilat kanë arritur të identifikojnë me kohë këto rrjete dhe bashkëpunëtorë të infiltruar, duke ndërmarrë hapa ligjorë dhe operativë për t’i ndaluar para se të dëmtojnë më tej strukturën e brendshme të shtetit. Kjo përgatitje dhe vendosmëri institucionale është një mburojë e rëndësishme kundër tentativave për të shndërruar Kosovën në një terren të manipulimeve ideologjike me pasoja afatgjata.

Por përçarja nuk vjen vetëm nga ekstremizmi islamik. Paralelisht me të, kohëve të fundit në Kosovë është rritur zëri i një tjetër lëvizjeje të rrezikshme që përpiqet të shesë një formë të konvertimit në katolicizëm si rrugë për “rikthimin te identiteti i vërtetë shqiptar”, një narrativë e maskuar si kulturore dhe historike, por që përmban thellësisht tone përjashtuese dhe anti-islame. I ashtuquajturi “grup i Deçanit” përçon një diskurs që nuk synon ndërtimin e dialogut fetar, por rishkrimin e historisë së shqiptarëve në funksion të një projekti përjashtues, që stigmatizon miliona shqiptarë me identitet islam dhe përpiqet të krijojë ndasi të reja në një shoqëri që historikisht ka jetuar në tolerancë fetare.

Instituti Kritikos ngrit dyshime të bazuara se edhe kjo lëvizje — megjithëse nga një kah krejt i kundërt me ekstremizmin islamik — mund të jetë e stimuluar apo të paktën e shfrytëzuar nga aktorë armiqësorë si Serbia. Kjo e fundit ka interes të qartë që ta portretizojë shoqërinë shqiptare si të përçarë, të paidentitet dhe të brishtë. Në këtë kuptim, si grupet islamiste radikale pro-ISIS, ashtu edhe grupet që promovojnë konvertimin në mënyrë të organizuar, mund të shihen si pjesë të të njëjtit mekanizëm përçarës që, në forma të ndryshme, prodhon kaos, dyshim, konflikt dhe largim nga vlerat e moderuara që kanë ndërtuar bashkëjetesën shqiptare për shekuj me radhë.

Nuk duhet harruar se Serbia historikisht ka përdorur metoda të luftës hibride: duke infiltruar individë në radhët e grupeve fetare, duke stimuluar propagandë përmes kanaleve të padukshme dhe duke përhapur narracione që dobësojnë identitetin shqiptar si njësi e bashkuar dhe e qëndrueshme. Në këtë kuadër, çdo projekt që prodhon ndarje mbi baza fetare, që shpall një pjesë të shqiptarëve si “të vërtetë” dhe të tjerët si “të deformuar”, është jo vetëm i dëmshëm nga aspekti shoqëror, por edhe potencialisht i rrezikshëm nga aspekti i sigurisë kombëtare.

Për këtë arsye, kërkohet një angazhim i koordinuar i të gjitha shtresave të shoqërisë: i institucioneve shtetërore që duhet të mbajnë vigjilencë të lartë ndaj këtyre prirjeve; i shoqërisë civile që duhet të prodhojë kundër-narrativë kritike dhe edukative; i mediave që nuk duhet t’u japin hapësirë përhapësve të urrejtjes; dhe i komuniteteve fetare që duhet të dënojnë qartazi çdo përdorim të fesë për qëllime përçarëse. Vetëm kështu mund të ruajmë shoqërinë tonë nga projektet e errëta që tentojnë ta shndërrojnë Kosovën në një fushë eksperimentale për interesa të huaja.

Kosova është një shtet laik, demokratik dhe me identitet të shumëfishtë që duhet të mbrohet nga çdo përpjekje për ta copëtuar në emër të besimit, historisë apo ideologjisë. Toleranca, bashkëjetesa dhe mendimi kritik janë themeli mbi të cilin duhet të ndërtojmë mbrojtjen më të -fuqishme ndaj çdo tentimi për të na kthyer pas në kohë.

____

Halil Morina është filozof dhe studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Të fundit nga rubrika