Pas dorëheqjes së deputetit Haxhi Avdyli nga të gjitha funksionet në Partinë Guxo, kjo parti ka dalë me një komunikatë për media.
Sipas njoftimit, dorëheqja u bë e ditur përmes rrjeteve sociale dhe mediave, por jo nga vetë Avdyli.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale, kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli, paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo.
Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme.
Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe perkrahësve, Partia Guxo e falenderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo.
Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!
Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në njoftim.