Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka reaguar ndaj pretendimeve të kundërkandidatit Ramiz Lladrovci, i cili kishte deklaruar se audio-incizimet e publikuara kohëve të fundit ia kishte sjellë gazetarit Lirim Mehmetaj vetë Hajdari.
Në një intervistë në Debat Plus, Hajdari ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke thënë se nuk ka pasur kurrë në posedim asnjë audio-incizim, por nëse do t’i kishte, do t’i publikonte vetë.
“S’kom pas arsye me ia çu, se s’kom pas. E para. E dyta, po t’i kisha pas, normal që do i kisha publiku vet. Mirëpo tash, kur mungon argumenti dhe kur jemi në garë politike, unë kisha pas shumë qejf me u ul e me diskutu në bazë të projekteve e programeve që i kemi, jo me u lëshu në nivelin e debatit deri në këtë pikë – kush i ka çu incizimet. Nuk ja çoj kujt dhe nuk më ka interesu ajo pjesë”, ka deklaruar Hajdari.
Ai ka theksuar se pas publikimit të incizimeve, ka dëgjuar vetë zërin e Ramiz Lladrovcit, gjë që, sipas tij, ka tronditur qytetarët e Drenasit.
“Ajo që e kam dëgju me veshët e mi në audio-incizim pas publikimit është zani i Ramiz Lladrovcit, që për të gjithë qytetarët e Drenasit ka qenë shok, kur dëgjon se si diskuton me dikë që është edhe asambleist për pazaret me prona”, ka shtuar ai.