Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka shkruar lidhur me instalacionin artistik “100”, të kuruar nga Gaz Ejupi, i cili është hapur në Reporting House në Prishtinë, në nderim të 100-vjetorit të Trepçës.
Në një postim në Facebook, Halimi ka theksuar se ky instalacion është më shumë se një përvjetor, duke e cilësuar si një akt poetik që rikthen në kujtesën kolektive figurën e heshtur të minatorëve të Trepçës, “duart që kanë prekur në errësirë jetën dhe vdekjen njëherësh”.
Ajo ka kujtuar se kristalet e ekspozuara janë nxjerrë nga 750 metra thellësi, ku ende sot punëtorët përballen me kushte të vështira pune, temperatura deri në 50°C, mungesë pajisjesh mbrojtëse dhe lagështi të lartë.
“Sot, ndërsa kristalet shkëlqejnë nën dritën e galerisë, një kontrast therës vazhdon të jetojë nën tokë. Ato janë nxjerrë nga 750 metra thellësi, ku punëtorët ende përballen me temperatura përvëluese, deri në 50°C, me lagështi, pluhur dhe mungesë të pajisjeve mbrojtëse”, shkruan Halimi.