Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e ka mbajtur fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës duke u ndalur te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se partia që ai drejton do të vazhdojë të ruajë vlerat shtetërore dhe kushtetuese.
Hamza tha se fillimi i punës së legjislaturës së dhjetë vjen në një kohë kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione që funksionojnë me integritet dhe profesionalizëm.
Ai theksoi se trashëgimia e demokracisë dhe lirisë së Kosovës, sipas tij, po mbrohet edhe në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe që sot të fillojmë punën në këtë legjislaturë në një moment kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione që punojnë me integritet dhe profesionalizëm, duke respektuar trashëgiminë e demokracisë dhe lirisë, e cila këto ditë po mbrohet edhe në gjykimin e themeluesve të UÇK-së, që njëherit janë edhe bashkëthemelues së bashku me shumë gra dhe burra të nderuar të kombit të vet, të Republikës së Kosovës. Fillimisht dua të potencoj që kjo seancë themeltare e legjislaturës së dhjetë është dëshmi e rrugës së vështirë që ka kaluar Kosova për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë e saj.
Sot detyra jonë është që këtë shtet ta forcojmë më tej përmes mbrojtjes së të vërtetës dhe drejtësisë në Hagë si një temë që sot dominon vëmendjen dhe ndërgjegjen e kujtdo që respekton luftën për liri dhe pavarësi.
Natyrisht, kontributi ynë si deputetë në muajt dhe vitet e ardhshme duhet të bëhet patjetër edhe përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, përmes mbështetjes së sektorit privat, përmes rritjes së mirëqenies sociale, një diplomacie më të urtë dhe të fokusuar në kthimin e mirëbesimit me aleatët dhe përmes garantimit të sundimit të ligjit për çdo qytetar. PDK dhe deputetët tanë do të jenë në ballë të ruajtjes së këtyre vlerave që synojnë ngritjen e standardit për të gjithë qytetarët, por edhe ringritjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare në këtë situatë mjaft të komplikuar gjeopolitike”, ka thënë Hamza.
Ai shtoi se përveç kësaj, angazhimi i deputetëve duhet të fokusohet edhe në politika të përgjegjshme ekonomike, mbështetje për sektorin privat, rritje të mirëqenies sociale, diplomaci më të matur dhe forcim të sundimit të ligjit.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe sakrificën historike për lirinë e Kosovës, duke veçuar rolin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Zgjedhjet e dhjetorit kanë krijuar këtë përbërje të re parlamentare. Vota e qytetarëve të jep nderin më të madh në drejtimin e Kuvendit, të qenurit deputet por edhe të Qeverisë. Ky është një nder i cili po mbrohet nga Presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli, kryetari Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në gjykimin e padrejtë në Hagë, por si nder e ka rrënjët në sakrificën e shumë gjeneratave para nesh, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari dhe presidentin Ibrahim Rugova dhe shumë të tjerë që luftuan, përfshirë dhe familjen e nderuar Haradinaj që i kemi edhe kolegë në Kuvend.
Kjo përgjegjësi nuk është vetëm retorike, nuk është vetëm e projektuar në fjalimet e fushatave zgjedhore dhe postimeve në rrjetet sociale që fatkeqësisht shpesh kanë devijuar në polarizime shoqërore. Përgjegjësia që presim ne si PDK, por jam i bindur që edhe qytetarët tanë, aleatët dhe dashamirët e RKS duhet të përkthehet në disa pika themelore.
Jam këtu t’iu garantoj se PDK do të vazhdojë të jetë gardiane e Kushtetutës dhe do t’i rezistojë çfarëdo tendence që mohon germën dhe frymën e Kushtetutës. Së dyti, PDK dhe shpresoj të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës do të bashkohemi të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime, betejën.”.