Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se ndarja në votim mes nënkryetarit të komuniteteve joshumicë joserbe dhe nënkryetarit të komunitetit serb përbën ndërhyrje në procedurë dhe është jokushtetuese.
“Ne kemi ardhur në seancë për të zbatuar procedurën e njohur. Ka pasur ndërhyrje në procedurë lidhur me mënyrën e votimit për kandidatët e Kryesisë së Kuvendit nga komunitetet. Kjo ndërhyrje është jokushtetuese. Ne kemi edhe përvojë paraprake kur Gjykata Kushtetuese na obligoi të kthehemi në procedurë dhe të respektojmë Rregulloren e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Ai e akuzoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për zvarritje të qëllimshme të procesit me qëllim të mbetjes së tij si ushtrues detyre i kryeministrit.
“Është problem të bëhesh pjesë e kësaj loje të vazhdueshme. Qëllimi është vetëm humbja e kohës me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues, në mënyrë që Kurti të fitojë dy a tre muaj shtesë për të vazhduar si ushtrues detyre i kryeministrit. Ai e ka në dorë dhe ai po e bën këtë”, theksoi Haradinaj.
Ai është larguar nga seanca konstituive.