Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot 15-vjetorin e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si një nga momentet më të rëndësishme në procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Vendimi i 22 Korrikut 2010 nga GJND është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai vulosi drejtësinë ndërkombëtare mbi idealin tonë të lirisë, të jetësuar më 17 Shkurt 2008”, ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi se përkushtimi për liri, drejtësi dhe demokraci ka qenë çelësi i qëndrueshmërisë së Kosovës si shtet, ndërsa nënvizoi se orientimi euro-atlantik dhe partneriteti strategjik me SHBA-në dhe BE-në mbetet rruga e vetme për të realizuar aspiratat shtetërore të vendit.