Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën e katër tetorit, ka mbledhur partinë e tij për të diskutuar zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend.
Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka theksuar se çdo vendim i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është i orientuar kundër interesave të qytetarëve.
“Zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot. Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat”, ka shkruar ai.
Haradinaj është shprehur i shqetësuar me gjendjen aktuale në vend të cilën e ka quajtur “të pashpresë”, dhe se për të njëjtën ka thënë se kërkohet zgjidhje urgjente.
“Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë”, shtoi ai.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se do të ketë ekzekutim të pagave vetëm për punëtorët e arsimit të cilët nuk kanë qenë në grevë.
“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka thënë se në takimet me Sindikatën e Arsimit, kanë diskutuar në lidhje me kompensimin e pagave nga vetë sindikata, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Sipas saj, ligji e ndalon kompensimin për punëtorët që kanë qenë pjesë e grevës.
“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”, ka thënë ajo.
“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka vijuar ajo.
E para e arsimit ka bërë të ditur se me kërkesë të ministrit të Financave, Hekuran Murati, Ministria e Arsimit i ka dërguar të dhënat e tyre për punëtorët e arsimit që nuk kanë qenë pjesë e grevës, për t’ua proceduar pagat.