Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar një ndër familjet më të sukseshme amerikane në ndërmarrësi, Trompeter.
“Mbrëmë për darkë në familjen amerikane Trompeter, nga familjet më të suksesshme për ndërmarrësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas Haradinaj, Trompeter, me aktivitetet e tyre humanitare i gjen kudo në botë, përfshirë dhe Kosovën.
Ai, ndër këto aktivitete, ka përmendur se familja Trompeter së fundmi ishte e përfshirë financiarisht në mbështetjen e kauzës së refugjatëve nga Afganistani.

Ndryshe, Haradinaj, gjatë vizitës në ShBA, ka zhvilluar takime edhe me akterë të ndryshëm politikë, të sigurisë dhe ekonomisë.
Më 7 maj, ai ka vizituar edhe shoqatën ”Vatra”, ku ka bashkëbiseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
“Ishte fat historik për shqiptarët, që edhe pse bijtë e tyre kaluan Atlantikun, asnjëherë nuk u shkëputën nga trungu, asnjëherë nuk e harruan Atdheun. Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” ka thënë Haradinaj.
Haradinaj, gjithashtu, ka shprehur kënaqësinë e vizitës së tij në ShBA, duke e ritheksuar nevojën e përkrahjes së tyre për një Kosovë të sigurt.