Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, është kthyer në Kosovë, kanë bërë të ditur familjarët e tij.
“Mirë se erdhe në atdhe, babë!”, ka shkruar i biri i tij, Flakron Shala, në Facebook, ku ka publikuar edhe një fotografi me të.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, më 2 shkurt 2026 ka vendosur të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, duke i hapur rrugë lirimit të tij me kusht.
Sipas vendimit, kushtet e lirimit do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të dënimit prej tri vjetësh.
Në vendimin e saj, kryetarja Trendafilova ka marrë parasysh disa faktorë lehtësues, përfshirë shenjat e rehabilitimit të treguara nga Shala, si dhe një letër personale që ai i kishte dërguar asaj, ku shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.
Po ashtu, në vlerësim janë përfshirë marrëdhëniet pozitive familjare të Shalës, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas vendimit, tregojnë një perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.
Trendafilova ka theksuar se, ndonëse veprat penale për të cilat Shala ishte shpallur fajtor janë të rënda, letra e tij ishte shkruar me nismë personale, pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi. Sipas saj, kjo letër përbën një shenjë të distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat ai ishte dënuar.
“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”.
Lirimi i tij nga burgu i Hagës është përshëndetur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
“Mirë se vjen, bashkëluftëtar! Të urojmë shëndet dhe gjitha të mirat në jetë pranë familjes dhe njerëzve të tu”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Haxhi Shala ishte dënuar nga Gjykata Speciale me tri vjet burgim në shkurt të vitit 2025, për frikësim të një dëshmitari, vepër për të cilën kishte pranuar fajësinë.
Ai ishte arrestuar më 11 dhjetor 2023 dhe një ditë më pas ishte transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë. Koha e kaluar në paraburgim i ishte llogaritur në vuajtjen e dënimit.