Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar pas mbledhjes së Kryesisë se do të formohen 16 komisione parlamentare, 4 të përhershme dhe 12 funksionale, secili me nga 11 anëtarë, përveç Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve që do të ketë 12 anëtarë.
Sipas ndarjes së komisioneve, Lëvizja Vetëvendosje do të kryesojë 9 komisione, PDK 3, LDK 2, Lista Serbe 1 komision dhe grupi multi-etnik 1 komision.
Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se në seancën e jashtëzakonshme, që pritet të mbahet në orën 19:00, do të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarjet buxhetore, si dhe do të diskutohet rezoluta lidhur me procesin në Hagë, për të cilën do të ketë një takim të shefave të grupeve parlamentare.
“Unë jam e bindur që do t’i miratojmë me kohë marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shtuar Haxhiu, pa sqaruar nëse do të trajtohen sonte apo në një seancë tjetër.