Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka ngritur shqetësimin e bizneseve anëtare, sidomos të atyre që operojnë në sektorin e veturave me qira, taksive, transportit dhe lizingut, për shkak të pamundësisë së regjistrimit të automjeteve për shkak të gjobave të papaguara.
Pas takimit me institucionet përkatëse, është vendosur pezullimi i përkohshëm i kësaj mase derisa të gjendet një zgjidhje.
“Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, janë takuar me zyrtar të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Në këtë takim është diskutuar rreth problemeve me të cilat po përballen bizneset dhe sidomos bizneset veturave me qira, lizingut, taksive, transportuesve, etj, të cilave po u pamundësohet regjistrimi i automjeteve, shkaku i gjobave të papaguara.
Anëtarja e Bordit, Aida Selimi – Shabani, ka shprehur shqetësimin e DhTIK-së dhe bizneseve të saj, në lidhje me këtë veprim, duke vënë theksin në dëmin që po u shkaktohet bizneseve nga aplikimi i një dispozite (Neni 89, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor), e cila kushtëzonte regjistrimin me pagesën e gjobave duke i bllokuar flotat e automjeteve të tyre, si dhe duke i obliguar që të paguajnë të gjitha gjobat përnjëherë duke i vendosur në situatë të vështirë financiare e pa mundësi ankese.
Selimi – Shabani, ka shtuar se ky kushtëzim shkel të drejtat themelore të personave fizik/juridik siç është e drejta e pronës, dhe si mase është joproporcionale, duke inkurajuar gjithashtu në mënyrë të tërthortë rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara që qarkullojnë në trafik.
Në këtë takim nga Agjencia e Regjistrimit Civil, jemi njoftuar se është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në zgjidhjen e kësaj çështje.
Dhoma do të vazhdoj ta përcjell për së afërmi këtë proces”, thuhet në njoftim.