Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Kosova po funksionon “si pa zot shtëpie”.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se institucionet kyçe, në veçanti ato për çështje ekonomike dhe financiare, janë pa drejtues për shumë kohë.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsyetim për këtë situatë të krijuar, pasi siç është shprehur ai, pasojat po i bartin të gjithë pa përjashtim.
“Kosova po funksionon si pa zot shtëpie. Institucionet kyçe, në veçanti ato për çështje ekonomike dhe financiare, janë pa drejtues për shumë kohë. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë situatë të krijuar. Pasojat po i bartim të gjithë pa përjashtim”, ka shkruar Hoti.
Ai ka listuar 6 institucione kyçe të cilat sipas tij funksionojnë pa drejtues.
“1. Kryeprokurori i Shtetit nuk është emëruar për më shumë se një vit. Trusti Pensional nuk ka Bord. BQK-ja mbetet pa Guvernator nga java e ardhshme. As zëvendësguvernator të zgjedhur nuk ka. Është një ushtrues detyre i Zëvendësguvernatorit, i cili do të bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur. Njësia për Inteligjencë Financiare nuk ka drejtor për më shumë se një vit. Komisioni për Ndihmë Shtetërore nuk është emëruar për më shumë se një vit”, ka vijuar ai.
Ai ka kritikuar Kurtin se po krenohet që i ka bërë Serbisë një ofertë bujare për Asociacionin, teksa ka ironizuar se mbase Kosova s’ka nevojë më për drejtues në këto institucione dhe mjafton vetëm kryeministri.
“Ndoshta nuk kemi nevojë më për drejtues të këtyre institucioneve. Ndoshta mjafton që e kemi Kryeministrin, i cili krenohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në villat e Titos në Ohër. Madje krenohet se i ka bërë Serbisë ofertë shumë gjeneroze për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që ajo nuk e ka pranuar”.
Ndryshe, të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka refuzuar një ofertë të tij “bujare” për “vetëmenaxhim” të serbëve të Kosovës në një Asociacion që do ta hartonte dhe propozonte vetë Kurti.
Kurti: Vuçiq e refuzoi ofertën time për “vetëmenaxhim” të serbëve të Kosovës