Agon Ahmeti, drejtor i ETEA-s, në Kallxo te Jeta Xharra ka thënë se mësimdhënësit kanë treguar që 70.6% e nxënësve nuk i kanë kompletuar të gjitha librat një muaj pasi ka filluar viti shkollor, bazuar në hulumtimin që tregoi për problemet me subvencionimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit.
Ai ka thënë se në kohën kur u krijua debati mes MASHTI-t dhe shtëpive botuese lidhur me mënyrën e subvencionimit të librave, e kanë parë të arsyeshme të bëjnë një analizë objektive për të parë vlefshmërinë e qëndrimeve të kundërta.
“Hulumtimin e kemi realizuar vetëm me mësimdhënësit në nivelin 1-5, kemi pasur 506 respondentë mësimdhënës në nivel të Kosovës, me besueshmëri të mostrës në 95% të rezultateve që i kemi nxjerrë. Raporti është publikuar në fund të muajit shtator (2023), pra një muaj pasi ka filluar mësimi, menjëherë pasi është marrë vendimi për të ndërruar qasjen”, ka thënë ai.
“Një prej rezultateve, mësimdhënësit kanë treguar që 70.6% e nxënësve nuk i kanë kompletuar të gjithë titujt, të gjitha librat një muaj pasi ka filluar viti shkollor, pra vetëm 29.4% i kanë pasur 100% të teksteve shkollore obligative. Mësimdhënësit kanë raportuar për nxënësit e tyre”, ka shtuar ai.
Tutje, Ahmeti ka folur edhe për gjetjet e tjera të hulumtimit të bërë.
“52% e mësimdhënësve kanë konsideruar që ky vendim e ka dëmtuar procesin e rregullt, mbarëvajtjen e procesit mësimor, për shkak se e kanë pasur të pamundur të zbatojnë planprogramin sipas asaj që kanë pasur obligim për të vijuar procesin mësimor”, është shprehur Ahmeti.
Ai më tej ka thënë se ndër arsyet e këtyre rezultateve, sipas mësimdhënësve respondentë, del se ishte mungesa e teksteve shkollore nëpër libraritë e qytetit, sipas deklarimeve të prindërve.
Si gjetje e tretë e hulumtimit është përmendur transferimi i mjeteve financiare nga MASHTI te prindërit.
“Mungesa e aftësive digjitale të prindërve për të operuar me platformën e-Kosova”, ka thënë ai.
Në fund ai ka thënë se organizata e tij, ETEA, kishte pasur raporte të mira me Ministrinë e Arsimit, por se pas publikimit të gjetjeve të hulumtimit gjithçka ka ndryshuar.
“Neve me ministrinë kemi pasur raporte të mira… realisht çfarëdo komunikimi me ministrinë nuk marrim kurrfarë përgjigje, jo vetëm me stafin politik, por edhe me zyrtarët administrativë, dmth. jemi thjesht të përjashtuar prej çfarëdo komunikimi… më duket që ky hulumtim e ka bërë ndryshimin. Janë bërë dy vjet dhe ne pothuajse nuk kemi kurrfarë komunikimi zyrtar me Ministrinë e Arsimit. Hulumtimi është komunikuar drejtpërdrejt me zëvendësministrin dhe qëllimi ka qenë me ofru të dhëna nga terreni që ata me ditë pak a shumë si me operu vitin e ardhshëm… thjesht ka qenë një qasje përjashtuese, ne kemi qenë inekzistentë për Ministrinë e Arsimit dhe për çfarëdo bashkëpunimi që na është dashtë…”, ka thënë Ahmeti.