Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, pas arratisjes së të burgosurit Dorde Radomiroviq, i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim për vrasje.
Arratiset nga burgu i Mitrovicës së Veriut Dorde Radomiroviq, i dënuar për vrasje
Sipas njoftimit zyrtar të SHKK-së, të bërë publik nga zëdhënësi Florent Gashi, në mesin e të pezulluarve janë drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues. Pezullimi vjen si masë paraprake, derisa të zhvillohen hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e arratisjes.
I burgosuri në fjalë, të cilit i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj të dënimit, ishte kategorizuar si i avancuar dhe në momentin e arratisjes ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Ai ishte gjithashtu në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht.
“Sot janë pezulluar nga puna kater zyrtarë, drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues për shkak se nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë është arratisur i burgosuri D.R. I burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj.
Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ai ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht. Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues mbeten të pezulluar nga detyra”, thuhet në njoftim.