“Informacionet konfidenciale mbeten të paprekura, Kosova e gatshme të bashkëpunojë “, Qeveria reagon ndaj pretendimeve për serben e arrestuar në Kroaci

J.L pilot kroat pjesë e KFOR-it në Kosovë, dhe e dashura e tij, serbja 46 vjeçare nga Mitrovica Veriore, Ana Murganiq janë dërguar 30 ditë në paraburgim nga Gjykata e Qarkut të Splitit, si të dyshuar për spiunazh. Dyshimet janë se piloti kroat duke shfrytëzuar pozitën e tij në KFOR, të dashurës serbe, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të misionit paqeruajtës të NATO-së, e cila më pas ia ka dhënë Listës Serbe. Spiunazh dyshohet se kanë bërë edhe në periudhën kur i dyshuari për sulm ndaj zyrave të KQZ-së, Dejan Pantiq, nga veriu, nuk mund të transportohej për në Prishtinë.

Ana Murganiq, 46 vjeçarje ka jetuar kohë të gjatë në Mitrovicën Veriore.Sipas burimeve të televizionit ajo ka punuar për UNMIK-un, EULEX-in, e me raste edhe si gazetare.

Ana Murganiq është arrestuar në Kroaci bashkë me të dashurin e saj, pilotin kroat J.I, i cili sipas mediave kroate ka shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Ata dyshohen për veprimtari spiunazhi për Listën Serbe, në periudha të ndryshme.

Të dy janë dërguar në paraburgim për 30 ditë, për serben e Mitrovicës thuhet se ka rrezik që të arratiset, ndërsa për të dy vlerësohet se paraqesin rrezik të shkatërrimit të provave dhe ndikim në dëshmitar.

Rasti që po hetohet nga policia dhe Europoli ka nxjerrë detaje shqetësuese.

Dyshimet janë se piloti kroat, si pjesëtar i KFOR-it, të dashurës serbe, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të këtij misioni të NATO-s, e cila më pas ato ia ka dhënë Listës Serbe.

Informacionet janë dhënë në periudha të ndryshme përfshirë në vitin 2022, në kohën kur në veri kishte dhunë dhe tensione, ndërsa me theks të veçantë informacionet lidhen me Zubin Potokun.

Sipas mediave kroate, piloti i kishte dhënë informacione konfidenciale serbes që lidheshin me transportin e serbit të arrestuar Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut. Atë kohë serbët në veri kishin bllokuar rrugët duke mos lejuar që institucionet e Kosovës ta transportojnë për në paraburgim pas arrestimit Pantiqin.

Misioni i EULEX-it në Kosovë e ka konfirmuar se Ana Murganiq ka qenë punonjëse e tyre.

Lista Serbe jo. Ata e kanë mohuar çfarëdo kontakte me serben e dyshuar për spiunazh.

“As unë dhe as askush prej nesh nuk e njohim këtë zonjë dhe duam të mohojmë se ndonjëri prej nesh ka ndonjë lidhje me atë person”, ka thënë Slavko Simiq.

Ky rast nuk përfundon me kaq. Analisti ushtarak kroat, Ivica Mandiq, mbrëmë, ka ngritur pretendime shqetësuese.

“Vajza kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me zyrën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, por edhe me zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Pyetja është nëse agjentja ishte e bindur në një operacion të tillë, sepse ka informacione se ajo ka punuar edhe për një shërbim tjetër të një anëtari të madh të NATO-s”, ka thënë Mandiq.

Këto pretendime i ka hedhur poshtë Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për TV Dukagjini, zëdhënësi Përparim Kryeziu, tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me institucionet kroate në mënyrë që të zbardhet ky rast.

“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spinunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit, në kry të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilët përbëhen nga të emëruar politik. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çfarëdo pretendimi se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit dhe i sigurojmë qytetarët se institucionet e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë me institucionet respektive kroate për trajtuar çfarëdo dyshimi….”, ka thënë Kryeziu.

TV Dukagjin ka kërkuar qëndrime edhe nga ambasada e Kosovës në Kroaci, dhe ambasada kroate në Kosovë. Po ashtu edhe nga misioni i KFOR-it në Kosovë.

Nga asnjëra palë, deri në publikimin e kësaj kronike, nuk kemi pranuar përgjigje.

Për rastin ndërkaq ka pasur reagim edhe nga vet presidenti kroat, Zoran Milanoviq që ka ofruar mbështetje për të gjitha institucionet që të zbardhin të vërtetën e rastit.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika