Një zyrtare policore është arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit, zyrtarja e cila ishte e angazhuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Glloboçicë – Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje në Kaçanik – dyshohet se ka përdorur në mënyrë të paautorizuar bazën e të dhënave të policisë kufitare për të verifikuar dhe regjistruar në sistem të dhënat e një shtetasi të Republikës së Serbisë.
IPK njofton se qytetari serb nuk ka qenë fare prezent në pikën kufitare në fjalë, ndërsa dyshohet se veprimi i zyrtares policore është bërë për të kontrolluar nëse ai figuronte apo jo në kërkim policor.
Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e saj nga detyra.