Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur për programin e tij dhe zotimet që i ka bërë para qytetarëve të kryeqytetit. Ai përsëriti se nëse nuk i përmbush 90% të premtimeve gjatë mandatit të parë, nuk do të kërkojë një mandat të dytë, por do të largohet përfundimisht nga politika.
Ismaili tha se shpesh i bëhet pyetja pse nuk propozon projekte madhështore, ndërsa theksoi se për të integriteti është më i rëndësishëm se sa premtimet që tingëllojnë mirë por nuk realizohen. “Nuk mund të dal para qytetarëve të Prishtinës, në qytetin ku jetoj unë, familja ime e njerëzit e mi, dhe ata të më kthejnë shpinën duke thënë ‘ky na ka mashtru’,” tha ai.
Ai theksoi se programi i tij është i ndërtuar mbi kërkesat reale të qytetarëve dhe mbi projekte të matshme e konkrete. “Kur shkoj në lagje për t’i prezantuar projektet, unë e kam të menduar edhe financimin. Dhe për këto gjëra nuk të duhet leja e qeverisë – për pastërtinë, për ndriçim, për çerdhe, për trotuare, për autobusë, për semaforë apo për qendrën për menaxhimin e trafikut. Këto nuk janë zgjidhur për 25 vite, jo pse kanë qenë e pamundur, por sepse ka munguar vullneti politik,” tha Ismaili.
Duke folur për zotimin e tij për pëmbushjen e programit, ai theksoi se themel i kësaj është besimi. “Nëse nuk mund t’i qëndroj besnik qytetit tim, mendoni që mund t’u qëndroj besnik qyteteve të tjera? Për mua është e qartë: ose i realizoj 90% të premtimeve, ose më votë kurrë nuk kërkoj” u shpreh ai