Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, përmes një postimi në Facebook, e ka paraqitur Istogun si një destinacion të rrallë që ofron paqe, bukuri natyrore dhe mikpritje tradicionale.
Ferati e përshkruar potencialin e madh për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime, duke e ftuar publikun ta vizitojë këtë vend ku natyra, qetësia dhe mundësitë për rritje ecin dorë për dore.
“Buzë maleve të Moknës dhe të Lugut të Butë, në Rrafshin e Dukagjinit, aty ku lindin burimet më të pastra dhe ku ajri ka shijen e qetësisë, shtrihet Istogu, një thesar për ata që kërkojnë paqe, frymëzim dhe jetë të shëndetshme.
Në pranverë, çdo pëllëmbë gjelbëron si të ishte një poezi e shkruar nga vetë natyra. Në verë, bjeshkët e Istogut freskojnë zemrat e udhëtarëve. Vjeshta i dhuron Istogut ngjyra që pikturojnë kujtimet e kujtdo që e viziton, ndërsa dimri i sjell hijeshi me borë e ngrohtësi dhe mikpritje.
Por ajo që e bën këtë vend edhe më të veçantë janë njerëzit e tij, të qetë, të dashur, punëtorë e mikpritës, në harmoni të plotë me natyrën që i rrethon.
Istogu është vendi ku mund të ecësh nëpër shtigje alpine, të pushosh pranë burimeve të freskëta, të shijosh një drekë me specialitetin tonë peshkun dhe prodhimet vendore dhe të kuptosh se jetesa e shëndetshme në Istog nuk është luks por përditshmëri. Është vendi që të fton për të kaluar një ditë aktive mes natyrës, një drekë relaksuese me familjarët e shumë atraksione, adrenalinë e të tjera.
Ky vend i bekuar me pasuri natyrore e kulturore ka potencial të jashtëzakonshëm për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Me politika të mençura, me vizion afatgjatë dhe me dashurinë për tokën tonë, Istogu mund të bëhet shembull se si zhvillimi ekonomik shkon dorë për dore me ruajtjen e natyrës.
Ju ftoj të shikoni këtë përmbledhje të bukur dhe të vizitoni Istogun tonë e të shijoni nga afër këto bukuri e këtë vend ku qetësia, aventura dhe mundësitë për investime takohen me mikpritjen tonë”, ka shkruar Ferati.