Një deklaratë e dhënë nga kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, gjatë një interviste në televizionin Klan Kosova, ka shkaktuar një stuhi reagimesh në opinionin sportiv dhe atë mediatik në vend.
Në këtë prononcim, Rrahmani ka adresuar kritika ndaj gazetarëve sportivë në Kosovë, duke vënë në dyshim profesionalizmin dhe mënyrën se si ata raportojnë.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, hodhi kritika të mëdha për gazetarët me arsyen se asnjë nga ta nuk kishte përcjell nga afër festën e “Scudettos” kur ai kishte fituar titullin me Napolin.
Deklaratat e tij janë konsideruar nga shumë kolegë të fushës si të papërshtatshme dhe fyesë ndaj një grupi profesionistësh që, pavarësisht sfidave të mëdha, vazhdojnë të japin kontributin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e sportit në Kosovë.
Gazetarja dhe komentatorja sportive, Qeqa Krelani pati kritika të ashpra për mbrojtësin e Napolit në një postim të saj në rrjetet sociale.
Krelani i përmendi mënyrën se si gazetarët funksionojnë në Kosovë, pavarësisht vështirësive të shumta.
“Pikërisht këta gazetarë që sot etiketohen nga ai si “të dobët”, kanë qenë aty nga fillimi – kanë raportuar nga ndeshjet e tij të para, kanë qenë mbështetësit e parë të karrierës së tij, dhe e kanë ndjekur kur pak e njihnin. Për fund pas hatermbetjes që ka përjetu Rrahmani, pse askush nga gazetarët nuk paska fluturu me mjete vetanake, për ta përcjellë fitoren e titullit me Napolin…egziston një pytje themelore: Kur për Rrahmanin nuk kishte rëndesi ndeshja jetësore e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut, për të cilën Goran Pandev pagoi avion privat për të ndihmuar kombëtaren e tij – atëherë pse pritet që gazetarët e Kosovës të paguajnë nga xhepi i tyre i varfër avionin për të festuar titullin e Napolit? Nëse për të, Kosova s’kishte rëndesi kur duhej, pse për gazetarët kosovar duhet të ketë rëndesi Napoli?”, tha Krelani.
Nga ana tjetër, komentatori Emanuell Syla në një prononcim për TV Dukagjini ishte shumë më i ashpër në reagimin e tij.
Ai përveç ndeshjet me Maqedoninë i përmendi edhe gjëra tjera, kapitenit të Kosovës.
“Pa shije nga Amir Rrahmani. Paska fol palidhje. Mos t’ja nisi me ja përmend ndeshjen me Maqedoninë, ‘lëndimin’ (lexo femna), etj…”, tha Syla në prononcimin e tij.
Më i butë me reagim ishte edhe moderatori, Enur Pakashtica.
Në një prononcim për TV Dukagjini, ai e cilësoi si të pamenduar mirë deklaratën e tij, andaj edhe gabimi sipas tij mund të mos kishte qenë i qëllimshëm.
“Me gjithë respektin për karrierën dhe sukseset… t’u ja nisë prej Mbappe, Ronaldo, Messi e deri te Rrahmani, vetëm lojtarë futbolli janë. Si t’ja nisin me jep mendime t’pa menume – veç gabojnë secili. Për këtë arsyje k’ta 3 t’parët pak e hiç kanë fol kur s’jon kon kërkah, e edhe ma pak e hiç flasin sot. A për udhëtim, janë do shpenzime që televizionet / portalet nuk mujnë me i përballu. Gazetarët privatisht edhe ma hiç, e këtu ju thehet zemra. Jam i sigurtë se qata gazetarë që i njoh unë, s’e kishin lon asnjë lojë pa e percjellë LIVE, qoftë edhe ligën e dytë të Anglisë, Italisë apo Spanjës. Jo për me i ikë punëve tjera – po qaq me pasion e percjellin sportin”, theksoi Pakashtica.
Reagim të ashpër pati edhe komentatori, Arbër Loxha.
Loxha në llogarinë e tij në rrjetet sociale, theksoi se asnjë lojtarë i Kombëtares së Kosovës nuk ka gëzuar përkrahje më të madhe se Amir Rrahmani.
“Është e papranueshme mënyra se si Amir Rrahmani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës në futboll, i është drejtuar gazetarëve sportivë të vendit. Personalisht nuk besoj se ndonjë sportist tjetër ka gëzuar përkrahje më të madhe dhe më të vazhdueshme nga komuniteti ynë sesa ai.Për këtë arsye, do të ishte e udhës që Rrahmani të japë një sqarim të qartë dhe një kërkim falje publike për deklaratën që bëri lidhur me “copy-paste” në raportim, pasi shumica e lajmeve sportive në Kosovë janë të përmbajtura, të sakta dhe profesionalisht të punuara”, shkroi Loxha.
Deri më tani, nga ana e Rrahmanit nuk ka pasur ndonjë reagimrreth deklaratave të tij, i njëjti ka qëndruar në heshtje pavarësisht reagimeve të shumta.