Javën e kaluar shumica e dëshmive nga dëshmitarët serbë në procesin gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë u zhvilluan me dyer të mbyllura.
Por, ajo çka deklaruan aty, sipas avokatit të Alban Rashitit, zyrtarit policor të lënduar gjatë sulmit, nuk ishte e vërtetë.
“Dy nga dëshmitarët që janë ftuar që të dëgjohen në gjykatë si dëshmitarë kanë hezituar që të deklarojnë atë që kanë deklaruar më parë dhe gjatë procesit të dëgjimit në gjykatë, kanë rënë në kundërshtim me vetveten dhe kanë rënë në kundërshtim me njëri tjetrin sepse ata dy kishin komunikuar mes veti dhe po ashtu në kundërshtim me provat të tjera. Në anën tjetër nga këta dy dëshmitare në deklaratat e më hershme kemi mësuar se edhe personeli i hotelit Ranjska Banja, drejtori Marko dhe shefi i recepsionit, pra kanë ndihmuar antarët e grupit terrorist për tu strehuar”, ka deklaruar Naim Rudari – avokat i Alban Rashitit.
Pikërisht për këto arsye, Rudari një ditë më parë ka dorëzuar kallëzim penal, kundër katër personave, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer disa vepra penale.
“Besojmë me bazë se kanë kryer disa nga veprat penale që është ndihma e kryerjes së veprave terroriste, moslajmërimi i veprës penale deklarime të rreme manipulimi me prova e që mund të jenë edhe vepra të tjera edhe persona të tjera, por që këta persona me bazë kanë kryer vepra penale kështu që kemi kërkuar nga prokuroria ti ndjek penalisht këta dhe të tjerët”, ka deklaruar ai.
Njëri nga dëshmitarët e dëgjuar në këtë proces gjyqësor ishte edhe Veljko Iliq, babai i Vladan Iliqit, një prej të 44 të akuzuarve nga Prokuroria Speciale për sulmin, por i cili sikur shumë prej tyre, është ende në arrati.
Rudari ka treguar se çka ka thënë i njëjti para trupit gjykues.
“Ai dëshmitar ka deklaruar rrejshëm dhe nuk e ka deklaruar atë që ka ditur dhe nuk e ka konfirmuar atë që e ka deklaruar në prokurori por në gjykatë ka mohuar krejtësisht kinse ai nuk di asgjë kinse djali i tij nuk ka qenë i përfshirë në rastin në grupin terrorist dhe gjëra të tjeram, dhe ai është njëjti nga dëshmitarët e kallëzuar penalisht sepse ka hezituar me pretekstin se nuk ka qenë në gjendje të mirë kur ka deklaruar më parë”, ak theksuar Rudari.
Krahas tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, që ndodhen në paraburgim, Prokuroria Speciale në shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.