Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave.
Sipas njoftimit, tre prej të pandehurve – Xh.K., D.K. dhe A.K. – akuzohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri i katërt, L.Sh., për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza sqaron se nga viti 2020, të pandehurit Xh.K., D.K. dhe A.K. kanë ushtruar kanosje serioze ndaj një qytetari, me qëllim që ta detyrojnë atë të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
Fillimisht, ata kanë kërkuar 20,000 euro, e më pas edhe 30,000 euro, në lidhje me një pronë të blerë nga i dëmtuari.
“Sipas aktakuzës , të pandehurit Xh.K, D.K, A.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga viti 2020 përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, me pas edhe 30.000 (tridhjetëmijë) euro, deri sa janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore”.
Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të veçanta të hetimit.
Ndërkohë, i pandehuri L.Sh. akuzohet për posedim të armëve pa leje, çka përbën shkelje të ligjit mbi armëmbajtjen në Kosovë.