Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.) ka miratuar sot(e premte) më 25 korrik ndarjen e një bonusi prej 400 euro neto për të gjithë të punësuarit në këtë ndërmarrje publike.
Sipas njoftimit të KEK thuhet se vendimi është marrë në mbledhjen e rregullt të Bordit dhe mbështetet në kompetencat statutare të tij, si dhe në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
KEK ka theksuar se ky bonus është rezultat i performancës së mirë financiare gjatë vitit 2024, si dhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare të qeverisjes korporative.
Në arsyetimin e vendimit, Bordi ka marrë parasysh edhe kërkesat e adresuara nga dy sindikatat aktive brenda KEK-ut; Sindikata e Re (SR-KEK) dhe Sindikata Profesionale e Energjisë së Kosovës (SPEK), të cilat kanë zhvilluar takime të rregullta me menaxhmentin ekzekutiv.
Sipas njoftimit zyrtar, ky bonus përbën një vlerësim konkret për punonjësit, për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në përmbushjen e objektivave të KEK Sh.A. në sektorin energjetik të Kosovës.
“Bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve të KEK Sh.A. mbetet një prioritet strategjik, duke i konsideruar ata si asetet më vitale të korporatës dhe themel të suksesit dhe stabilitetit të saj”, thuhet në vendimin e Bordit.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga menaxhmenti ekzekutiv, në koordinim me njësitë përkatëse financiare dhe administrative të korporatës.