Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A”, e cila kishte pësuar një ndalesë të paplanifikuar ditën e djeshme, është rikthyer sërish në funksion të plotë sot në orët e mëngjesit.
Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, njësia A3 ka hyrë në operim të rregullt rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A”, e cila dje ishte ndalur në mënyrë të paplanifikuar, është rikthyer në operim sot, më 19.06.2025, rreth orës 08:00.
Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit “Kosova A”, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00.
Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.
KEK sh.a. do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim që ndikon në operimin e njësive dhe furnizimin me energji”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.