Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë në një konferencë për media për të sqaruar qëndrimin e partisë lidhur me këtë vendim dhe zhvillimet politike që kanë çuar në një bllokadë institucionale.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se aktgjykimi i Kushtetueses i ka dhënë të drejtë VV-së në veprimet e saj për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, propozimi për votim të fshehtë, i bërë nga kryesuesi Avni Dehari, nuk është cilësuar si shkelje kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
“Interpretimi i VV-së është që përmes propozimit të votimi të fshehtë për kryetar të Kuvendit, nga ana e kryesuesit zotit Avni Dehari, gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje. Sa i përket votimi të fshehtë. Të gjitha ta që thonë se Avni Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimi të fshehtë, unë mendoj që ata janë lexues të dobët të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ose nuk e kanë lexuar vetë, ose e interpretojnë gabimisht ose e interpretojnë me interpretime të të tjerëve”, ka thënë Konjfuca.
Në këtë konferencë, Konjufca ka ritheksuar se interpretimi i tyre i aktgjykimit konfirmon jo vetëm të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar, por edhe detyrimin kolektiv të të gjithë deputetëve për të përfunduar seancën konstituive në kohë dhe në mënyrë funksionale.
“Ka të bëjë me interpretimin tonë se si e kemi parë ne si VV aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. VV u përgjigj me faktin se si fituese e zgjedhjeve edhe Kushtetuta i jep të drejtë që të propozojë kryetarin në krye të Kuvendit. Kjo nuk hasi në mirëkuptim të subjekteve opozitare dhe qasja e tyre ishte bllokuese. Ne ndërmorrëm një seri veprimesh të tjera duke i konsideruar si veprime që do t’i ndihmonin konstituimit të Kuvendit, njëra prej të cilave ishte ftesa për kryetarët e subjekteve politike.
Aktgjykimi na dha të drejtë, dhe aty një nga pikat më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për të krijuar marrëveshje politike, kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, çka u sqarua edhe një herë. Interpretimi sa i përket kësaj pike, të raportit mes kryetarit dhe nënkryetarëve, është që t’i vendosim të gjithë në një pako dhe t’i votojmë pa u përzier në emrat që ne propozojmë.
Gjykata Kushtetuese, si ne e lexojmë, kjo është vetëm një paralajmërim që nëse hyn në rrugën e bllokimit, gjykata ka thënë se kjo nuk mund të bëhet vetëm për kryetarin. Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e atij grupi parlamentar që ka dalë i pari në zgjedhje. Obligimi është i të gjithëve”, ka shtuar Konjufca.