Instituti për politika sociale “Musine Kokalari” ka ngritur alarmin për një rënie drastike të fuqisë punëtore në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Qeveria në detyrë.
Sipas këtij institucioni, për vetëm një vit, Kosova ka humbur afro 100 mijë persona nga tregu i punës, një numër që vlerësohet si ndër më të mëdhenjtë ndonjëherë të raportuar në këtë sektor.
Në një reagim të bërë publik, Instituti e cilëson këtë rënie si sinjal shqetësues për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit. Në veçanti, theksohet se më të prekurit nga ky ndryshim janë gratë dhe të rinjtë, dy kategori që historikisht janë përballur me vështirësi për t’u përfshirë në mënyrë të barabartë në tregun e punës.

Sipas të dhënave të publikuara, përqindja e personave joaktivë në Kosovë për vitin 2024 arrin në 56.8%, duke e renditur vendin krahas Bosnjës dhe Hercegovinës si një nga shtetet me shkallën më të lartë të inaktivitetit në rajon. Në krahasim, Shqipëria ka një përqindje shumë më të ulët, prej vetëm 23.3% për të njëjtën periudhë.
Në këtë kontekst, Instituti “Musine Kokalari” thekson se deklaratat optimiste të qeverisë për formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e punësimit nuk reflektohen në të dhënat reale. Përkundrazi, raportet zyrtare tregojnë se papunësia në mesin e të rinjve është rritur, ndërsa punësimi i grave vazhdon të jetë i ulët dhe madje ka shënuar rënie në terma absolutë.
Instituti ngre pyetje thelbësore që, sipas tyre, kërkojnë përgjigje të qarta dhe veprime konkrete nga institucionet përkatëse:
Cilat janë arsyet e kësaj rënie dramatike?
Çfarë masa po ndërmerren për të rikthyer qytetarët në tregun e punës?
Dhe pse, pavarësisht premtimeve për reforma, gratë dhe të rinjtë ende mbesin jashtë?
